“Aktet kriminale të Beogradit”/ Lulzim Basha reagon për situatën në Kosovë: Synohet destabilizimi për interesat e Vuçiqit

Lajme

“Aktet kriminale të Beogradit”/ Lulzim Basha reagon për situatën në Kosovë: Synohet destabilizimi për interesat e Vuçiqit

Më: 25 shtator 2021 Në ora: 18:18
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për situatën e krijuar në veri të Kosovës, duke i konsideruar veprimet e Beogradit si akte kriminale.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha thotë se veprimet e Beogradit synojnë destabilizimin e Kosovës.

Teksa thekson mbështetjen  për Kosovën, Basha bën thirrje që të reagojë qeveria shqiptare. Sipas tij duhet të përdore të gjithë mekanizmat e saj diplomatikë për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj situate.

“Po ndjek me shqetësim situatën e krijuar në veri të Kosovës, pas vendimit të drejtë dhe legjitim të qeverisë për vendosjen e reciprocitetit.

Aktet kriminale të ndodhura në 24 orët e fundit të frymëzuara nga Beogradi zyrtar, synojnë destabilizimin e Kosovës dhe krejt rajonit për interesat politike të  Aleksandër Vuçiç.

Shpreh mbështetjen e plotë dhe të fuqishme për qeverinë e Kosovës, institucionet e saj dhe të gjithë faktorin politik të angazhuar në përballimin e kësaj situate.

Detyra e Shqipërisë, edhe si vend anëtar i NATO-s, nuk është të heshtë por të përdorë të gjithë mekanizmat e saj diplomatikë për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj situate. Nuk mund të tolerohen tanket dhe avionët ushtarakë që mësyjnë kufijtë e Kosovës, duke kërcënuar paqen dhe sigurinë e të gjithë rajonit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat