“Jap 35 mijë euro për kokën e Kurtit”, kjo ishte shuma që kërcënuesi e premtoi për vrasjen e Albin Kurtit

Lajme

“Jap 35 mijë euro për kokën e Kurtit”, kjo ishte shuma që kërcënuesi e premtoi për vrasjen e Albin Kurtit

Më: 27 tetor 2021 Në ora: 22:09
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

35 mijë euro “ishte në gjendje t’i ofronte” për “kokën” e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kështu një person ka shkruar në grupin “Shes blej gjithçka”, në rrjetin social “Facebook”.

Postimi është fshirë nga platforma, pasi është vënë në pah nga organet e sigurisë.

Në atë postim, thuhet se “Kurti duhet të vritet”, ndërsa si arsye përmendet rritja e çmimeve për produktet esenciale.

Një kërcënim të tillë e kanë marrë seriozisht organet e sigurisë.

Shpejtë u pozicionuan afër shtëpisë ku banon kreu i ekzekutivit kosovar, në Prishtinë.

Mësohet se për njëzetekatër orë forcat e Njësiteve Speciale do të qëndrojnë aty; për t’u kujdesur për sigurinë e Kurtit.

Kërcënimi ndaj të parit të Qeverisë është konfirmuar edhe nga Përparim Kryeziu, zëdhënës i ekzekutivit.

Ai nuk ka dhënë më shumë informacion pos asaj që dihet, por shtoi se “kryeministri vazhdon angazhimin e tij të rregullt”.

Ndërkaq, ende nuk ka pasur reagim zyrtar nga Policia e Kosovës.

Ky është kërcënimi i parë ndaj Kurtit i bërë publik që nga marsi kur e mori detyrën në Qeveri.

Por, Kurti më parë ishte kërcënuar edhe si opozitar.

Në dhjetor të vitit 2019 përmes një postimi në Facebook e kishte kërcënuar zyrtari atëhershëm i Nisma Socialdemokrate, Haxhi Hoti.

Për të ka pasur edhe proces gjyqësor.

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat