Prodhuesi i kriptovalutave në veri: Asnjëherë nuk erdhi asnjë faturë për shpenzim të energjisë elektrike

Lajme

Prodhuesi i kriptovalutave në veri: Asnjëherë nuk erdhi asnjë faturë për shpenzim të energjisë elektrike

Më: 5 janar 2022 Në ora: 19:02
Ilustrim

Një serb në Veri të Kosovës deklaroi se ka prodhuar kriptovaluta për shkak se nuk u kishte ardhur asnjëherë asnjë faturë për shpenzimin e energjisë elektrike.

Ai thotë se pas vendimit të 4 janarit nga Qeveria e Kosovës, ka vendosur që të ndalojë makinat e tij për prodhimin e kriptovalutave për një kohë.

Serbi ka katër vjet që merret me prodhimin e kriptovalutave dhe se ka shtatë pajisje në tarracën e banesës së tij, duke thënë se disa i ka blerë “nga shqiptarët”.

“Kam llogaritur, e gjithë bota po prodhon (kriptovaluta), po paguan energjinë elektrike. Ne këtu nuk paguajmë rrymë, kështu që pse mos t’i prodhoj”, thotë ai për REL, duke shtuar se pajisjet konsumojnë sasi të madhe të energjisë elektrike.

Sipas tij, në komunat veriore të Kosovës, shumica e njerëzve prodhojnë kriptovaluta duke thënë se kanë pajisjet në shtëpi.

Shumica dërmuese kanë një pajisje në shtëpi. Ju investoni 3-4 mijë euro dhe kjo të sjellë fitim prej rreth 300 eurosh në muaj”, shton ai.

Ai ka treguar se kur filloi të merrej me prodhimin e tyre, vlera e Bitcoin-it, një prej llojeve të kriptovalutave ishte e mirë, por që më pas kishte rënë, duke shtuar se tashmë vlera është rritur dhe fitimet janë të mira.

Ndërkaq, më 4 janar Qeveria ka njoftuar se institucionet do të angazhohen që të ndalojnë prodhimin e kriptovalutave pasi që pajisjet që përdoren për prodhimin e tyre – shkaktojnë konsum të lartë të energjisë elektrike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat