Teleferiku në Brezovicë nuk u lëshua as këtë të shtunë, qindra turistë në pritje

Lajme

Teleferiku në Brezovicë nuk u lëshua as këtë të shtunë, qindra turistë në pritje

Më: 15 janar 2022 Në ora: 14:54
Brezovicë

Sezoni i skijimit në Brezovicë nuk po mund hapet as këtë të shtunë si pasojë e mos funksionalizimit të teleferikut.

Si pasojë, mbi 300 turistë kanë mbetur në pritje.

Pronari i dy bizneseve në këtë qendër skijimi, Lekë Shabani thotë se beson se arsyeja është politike dhe jo teknike, pasi teleferikut i janë bërë tashmë kontrollet.

“Jo teleferiku nuk është lëshuar dhe siç duket nuk e ka ndërmend të lëshohet. Teleferiku është krejt gati është bërë krejt kontrollimi prej grupit të autorizuar, është bërë verifikimi i sajlleve, ulëseve, motorit dhe të gjitha pjesëve dhe krejt në rregull ka qenë. Nuk është diçka teknike, por diçka politike”.

Për këtë, ai thotë se po dëmtohen si biznes.

“Mbi 300 persona janë duke pritur, është e tmerrshme. Gjatë këtyre jave kemi vetëm tre deri në katër persona. Sot kanë thënë se do të lëshohet pas një mijë presioneve që i kemi bërë si qytetarë nuk ndodhi”, ka shtuar ai.

Kryetari i Odës dhe Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva ka treguar teleferiku është dashur të lëshohet që nga 20 dhjetori.

Megjithëkëtë, nga zyrtarët e AKP-së dhe Komunës së Shtërpcës i është premtuar se do të lëshohet gjatë së dielës.

“Lëshimi na është thënë se nuk është bërë për çështje teknike. Kjo u bë e ditur sipas informacioneve nga drejtori i AKP-së që është caktuar nga Komuna e Shtërpcës. Janë në faza testuese dhe pritet nesër të lëshohet. Mos të kishte presion nga ne ndoshta do të vonohej edhe më shumë”, ka treguar ai.

Shqip ka kontaktuar me Komunën e Shtërpcës dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit lidhur me arsyet e problemeve teknike por nuk kanë treguar.

“Duhet të sigurohemi që gjithçka është në rregull, para se të lëshohet që të funksionojë ky teleferik”, ka thënë Dragana Kevkic nga zyra për media e komunës.

Redaksia ka provuar të kontaktojë edhe me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, por nuk kanë qenë të qasshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat