Diplomati serb: Kurti mund të jep goditje përfundimtare...

Lajme

Diplomati serb: Kurti mund të jep goditje përfundimtare...

Më: 25 janar 2022 Në ora: 15:10
Millovan Bozhinoviq

Në vazhdën e presionit për organizimin e zgjedhjeve presidenciale serbe në Kosovë në mënyrë që t’i sigurohen Vuçiqit votat aq shumë të nevojshme të serbëve të Kosovës, është lajmëruar edhe ish-ambasadori serb në Gjermani, Millovan Bozhinoviq.

Edhe Bozhinoviq, sikur Petkoviq, kërcënon se nëse nuk lejohet organizimi i zgjedhjeve serbe në Kosovë, atëherë do të ndërpritet dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse Kurti nuk lejon që serbët të votojnë në Kosovë në zgjedhjet e 3 prillit, kjo do të ishte një goditje përfundimtare për dialogun Kosovë-Serbi”, konsideron Bozhinoviq.

Serbëve të Kosovës nuk iu lejua të organizojnë votimet në Kosovë në referendumin e fundit, një skenar i ngjashëm po planifikohet edhe për 3 prill kur do të mbahen zgjedhjet në Serbi.

“Unë mendoj se Kurti thjesht po endet kur bëhet fjalë për politikën e brendshme. Ai ka humbur njëfarë mbështetjeje të qartë të shumicës, dhe tani po bën manovra që do të rrisin rejtingun e tij. Dhe ndoshta mendon se veprimet që e bëjnë të vështirë dialogun me Serbinë e ndihmojnë në këtë. Kjo është një përllogaritje e cila nuk është e papritur, por ai tregon se e di se sponsorët perëndimorë, edhe nëse e dënojnë, këtë do ta bëjnë në mënyrë të butë dhe në esencë, nuk do ta ndëshkojnë”, ka thënë Bozhinoviq për Kosova Online

Sipas ish-ambasadorit serb, “nga njëra anë kemi një Kurti të dobët, më të dobët ndonjëherë dhe një skenë disi të paprofiluar politikisht dhe nga ana tjetër pozicionin e Perëndimit, i cili edhe më tutje toleron këto lëvizje të kontrolluara”.

“Jo se Kurtit i lejohet të bëjë gjithçka, por i lejohet të pengojë serbët nga Kosova që të votojnë në referendum. Nëse e bën të njëjtën gjë për zgjedhjet e ardhshme, kjo do të ishte një goditje e rëndë, mund të them përfundimtare për dialogun tashmë të lodhur i cili është në probleme të mëdha dhe nuk po funksionon. Nëse kjo ndodh, atëherë duhet të kërkohen mënyra të tjera për zgjidhjen e konfliktit në mes Kosovës dhe Serbisë. Do të shohim, ka më shumë se dy muaj deri në zgjedhje”, pretendon Bozhinoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat