Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar një zyrtar policor të dyshuar për lëndim të lehtë trupor dhe kanosje ndaj një qytetari.
Sipas njoftimit të IPK-së, arrestimi është bërë sot, më 20 nëntor, pas zhvillimit të veprimeve hetimore fillestare dhe në kuadër të autorizimeve ligjore të këtij institucioni.
Zyrtari policor, i cili shërbente në Stacionin Policor në Kllokot, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, dyshohet se është përfshirë në një incident që ka ndodhur gjatë orëve të paradites në fshatin Podgorcë të Komunës së Vitisë.
Bazuar në informacionet e mbledhura gjatë hetimeve fillestare, dyshohet se zyrtari policor e ka kanosur dhe sulmuar një qytetar me një mjet të fortë, si pasojë e të cilit viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ndërkaq, në kuadër të masave administrative dhe në interes të procedurës hetimore, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit policor.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.