Klitschko falënderoi Kosovën dhe shqiptarët, eskalon ministri serb

Lajme

Klitschko falënderoi Kosovën dhe shqiptarët, eskalon ministri serb

Më: 26 maj 2022 Në ora: 18:08
Vitaly Klitschko

Ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, i ka reaguar kryetarit të Kievit, Vitaly Klitschko, i cili në një intervistë për gazetën shqiptare në Zvicër Le Canton 27.ch, falënderoi shqiptarët dhe Kosovën për solidaritetin me popullin ukrainas.

Për këtë deklaratë, Vulin tha sot se nëse Klitschko do të dinte diçka për historinë, “ai do ta dinte se Kosova dhe Metohija është pjesë e Serbisë dhe se nuk është e mundur të pushtohet vendi i vet”, raporton Danas.

Duke reaguar ndaj deklaratës së Klitschkos se ukrainasit po luftojnë kundër okupatorit rus, ashtu siç luftonin shqiptarët kundër okupatorit serb, Vulin u shpreh se “ai që krahason Donbasin dhe Kosovën e Metohinë duhet të jetë i gatshëm t’i shkojë deri në fund krahasimit”.

“Nëse Klitschko pretendon se shqiptarët u pushtuan dhe se e hoqën Serbinë dhe okupatorin serb me rebelim të armatosur, atëherë edhe rusët në Donbas janë të okupuar dhe kanë të drejtë të heqin qafe okupatorin ukrainas”, tha Vulin.

“Serbia e ka dëshmuar se respekton të drejtën ndërkombëtare, është gjynah që të tjerët nuk mund të thonë të njëjtën gjë për veten e tyre”, shtoi ai.

Të mërkurën, kryetari i Kievit Vitaly Klitschko, mori pjesë në kuadër të Forumit Ekonomik që u mbajt në Davos të Zvicrës.

Madje, ai u shpreh falënderues ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

“Më vjen shumë mirë që takoj për herë të parë një gazetar shqiptar, një rast i mirë për t’ju përcjellur një mesazh juve, popullit shqiptar në ballkan. Kemi dëgjuar e lexuar se edhe ju shqiptarët si ne ukrainasit jeni njerëz të paqës, liridashës, por edhe luftarak që e do nevoja, që na e imponon ndokush. Ne sot po luftojmë kundër regjimit rus që po tenton të okupoj vendin tonë-Ukrainën që mëse 100 ditë, sikur ju që ishin dikur të okupuar nga Serbia…”, tha Klitschko.

Ish-kampioni botëror në boks u shpreh se shpreson që një ditë Ukraina do ta kthejë me të mira mbështetjen.

“Besoj se përvec Zotit edhe ne Ukraina do t’ja kthejmë me të mira këtë mbështetje për vendin tonë, për popullin tonë..”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat