Ambasadori gjerman në Serbi, Thomas Schieb, ka thënë se çështja e pavarësisë së Kosovës nuk mund të krahasohet me situatën aktuale në Ukrainë, duke theksuar se NATO-ja vendosi të bombardojë ish-Jugosllavinë vetëm pasi u shteruan të gjitha mjetet diplomatike, transmeton Politika, transmeton "Bota sot".
“Në Kosovë, shqiptarët ishin të shtypur dhe të përjashtuar nga jeta publike deri në fund të viteve 1980. Bashkësia ndërkombëtare e shteteve zhvilloi negociata të gjata që nuk dhanë fryte, duke shteruar pa sukses të gjitha mjetet për zgjidhjen paqësore të konfliktit dhe parandalimin e katastrofës humanitare. NATO ka vendosur të sulmojë Jugosllavinë, por nuk ka indikacione apo prova në Ukrainë për shtypjen e supozuar të rusëve etnikë në Ukrainë dhe mjetet diplomatike për t'i dhënë fund luftës në Donbas nuk janë ezauruar. Shpallja e pavarësisë është ekskluzive vetëm nëse nuk shkelet ndalimi i përdorimit të forcës. Kështu ishte rasti në Kosovë, e cila është nën administrimin e misionit të UNMIK-ut që nga viti 1999”, tha Shib.
Sipas tij, me vite është punuar intensivisht për të gjetur një zgjidhje për statusin e Kosovës që do të ishte e pranueshme për të dyja palët dhe se Kosova vetëm pas dështimit të këtyre përpjekjeve shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008.
"Ndarja e zonave separatiste të Donetsk dhe Lugansk, megjithatë, u detyrua nga ana e Rusisë me përdorimin e mjeteve ushtarake," tha Shib.