Petkoviq: Do të vazhdojmë të lëshojmë targat serbe sepse Kosova është territor i Serbisë

Lajme

Petkoviq: Do të vazhdojmë të lëshojmë targat serbe sepse Kosova është territor i Serbisë

Më: 2 gusht 2022 Në ora: 17:09
Petar Petkoviq

Drejtori i ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, i cili vazhdimisht i kopjon fjalimet e shefit të tij Vuçiq, në mes tjerash, se “ata duan marrëveshje me Kosovën”,  ka deklaruar se Serbia do të vazhdojë të lëshojë targa serbe për veturat e serbëve të Kosovës sepse “Kosova është territor i Serbisë sipas kushtetutës serbe”.

Petkoviq, në televizionin pro qeveritar serb TV Pink, edhe një herë ka pretenduar “se Beogradi do të kërkojë zgjidhje kompromisi në Bruksel, por se nuk do të lejojë askënd të anulojë dokumentet dhe targat serbe”.

Ai ka pretenduar se presidenti i tij Aleksandar Vuçiq, duke reaguar ndaj “lëvizjeve të njëanshme” të Kosovës në lidhje me dokumentet personale dhe riregjistrimin e automjeteve, “ka treguar se gjithçka mund të zgjidhet me marrëveshje dhe bisedë, e asnjëherë me lëvizje të njëanshme”, vetëm që “Serbia do të vazhdojë të lëshojë targa serbe për veturat e serbëve të Kosovës sepse “Kosova është territor i Serbisë”.

“Nuk ka më lëshim të dokumenteve hyrëse-dalëse që Prishtina ka dashur t’ua imponojë qytetarëve të Serbisë që hyjnë në Republikën e Kosovës. Në këtë mënyrë ne jemi kthyer në një pozicion ku të gjitha këto çështje mund t’i diskutojmë në Bruksel”, ka thënë Petkoviq.

Ai ka pretenduar se Beogradi dhe “populli serb në Kosovë” kanë arritur të marrin edhe 30 ditë shtesë, duke qenë se Kurti nën presionin e përfaqësuesve ndërkombëtarë ka shtyrë zbatimin e vendimeve të njëanshme, por gjithashtu ka deklaruar se ende asgjë nuk është zgjidhur.

“Rreziku i sulmeve dhe lëvizjeve të reja të njëanshme të Kurtit është ende në ajër, ai nuk dëshiron të qetësohet dhe të flasë”, ka pretenduar Petkoviq dhe ka theksuar se “barrikadat janë mjeti i vetëm për t’i treguar Prishtinës rezistencën demokratike që bëjnë serbët dhe që nuk duan të durojnë terrorin e Kurtit”.

Ai gjithashtu ka pretenduar se serbët e Kosovës kanë protestuar sepse dokumenti hyrës-dalës “nuk mund të zbatohet për pjesëtarët serbë që kanë vendbanim në Kosovë dhe se targat për atë zonë janë të lëshuara nga Serbia dhe do të vazhdojnë të lëshohen sepse ky është “territori ynë sipas Kushtetutës”.

“Dhe çfarë duhet të bëjnë serbët e Kosovës, të riregjistrojnë veturat me targa RKS?! Kjo, thotë Kurti, është e shkruar në marrëveshje. Në cilën të Borkos (Stefanoviqit)? Në atë marrëveshje shkruhet se serbët ne Kosovës mund të zgjedhin mes targave RKS dhe atyre neutrale KS. Një vit më parë i kanë anuluar targat KS dhe serbët nuk kanë zgjidhje tjetër. KUINT-it nuk u intereson kjo edhe pse i kemi paralajmëruar”, ankohet Petkoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat