Shkrimtari që nuk po iu dorëzohet plagëve që ia shkaktuan fanatikët kishte mbështetur bombardimet e NATO-s

Lajme

Shkrimtari që nuk po iu dorëzohet plagëve që ia shkaktuan fanatikët kishte mbështetur bombardimet e NATO-s

Më: 14 gusht 2022 Në ora: 11:50
Salman Rushdie

“Jam një njeri i vdekur”, me këto fjalë e përshkruan Salman Rushdie në autobiografinë e tij “Joseph Anton”, momentin kur BBC e kishte telefonuar në numrin privat të shtëpisë, për t’ia marrë një reagim për ‘fatwanë’ që Ruhollah Khomeini, e kishte lëshuar për ta ndëshkuar si autor të romanit  “Vargjet Satanike”.

Për tiranin iranian, Rushdie në memoaret e tij të shkruara në veten e tretë, kishte renditur këto vargje:

“Ky nuk ishte një dënim i dhënë nga një gjykatë që ai e njihte apo që kishte jurisdiksion ndaj tij. Ky ishte urdhri  i një të moshuari mizor dhe në prag të vdekjes së tij”.

Nga ‘fatwaja’ e vitit 1989, që Khomeini e kishte lëshuar pak kohë para vdekjes, rreth 10 vjet më vonë ishte distancuar qeveria e Iranit, duke mundësuar në këtë mënyrë lidhjen e raporteve me Mbretërinë e Bashkuar. Por, disa radikalë islamikë thonë se ai dënim nuk mund të anulohet. 

Dënimi me vdekje për Rushdien nga Khomeini

“Njoftoj popullin krenar mysliman të botës se autori i librit “Vargjet Satanike”, i cili është kundër islamit, profetit e Kuranit, dhe të gjithë ata që kanë marrë pjesë në botimin e tij, që kanë pasur dijeni rreth përmbajtjes së tij, janë të dënuar me vdekje. U kërkoj të gjithë myslimanëve, kudo që gjenden, t’i ekzekutojnë ata kudo që t’i hasin”.

Këta rreshta ia kishin ndryshuar jetën përjetësisht Rushdies me origjinë nga India, shtetas britanik, me rrënjë familjare myslimane, tani ateist.

Rreth 10 vjet Rushdie kishte jetuar në fshehtësi me një identitet të rremë si Joseph Anton që e kishte krijuar nga emrat e dy shkrimtarëve të preferuar Joseph Conrad dhe Anton Chekhov. 

Vargjet satanike

Libri, për të cilin Rushdie ka marrë vlerësime të kritikëve, në radhë ka të bëjë me një rrëfim për jetën e vështirë në emigracion, por pjesë të tij janë cilësuar si blasfemi në pjesë të ndryshme myslimane të botës, ku janë zhvilluar protesta masive e ku është kërkuar koka e Rushdies.

Titulli i librit lidhet me një legjendë për profetin islam Muhamed – sipas të cilës disa zbulesa atij i kishin ardhur nga djalli i kamufluar si Zot. Sipas shpjegimeve këto fjalë gjenden në biografinë e parë të Muhamedit, Ibn Ishaq dhe në shënime tjera për jetën e tij. Me to thuhet se lejohej në zotërat e periudhës paraislamike.

Por, jo shumë veta e kishin lexuar librin. Gjahu për kokën e Rushdies kishte filluar, por tentim atentatet ndaj tij kishin dështuar pasi Mbretëria e Bashkuar i kishte ofruar mbrojte.

Një “flashback” me konstatimin “Jam njeri i vdekur” mund t’i jetë kthyer shkrimtarit të famshëm të shtunën kur Hadi Matar, 24 vjecar e theri me thikë 11 herë. Matar kreu një sulm të paramenduar dhe të planifikuar paraprakisht. Tani policia amerikane po i heton lidhjet e mundshme të tij me Trupat e Gardës Islamike Revolucionare dhe simpatinë të ekstremizmit shiitë.

Por, 75 vjeçari që me kalimin e viteve, për shkak të rastit të tij u bë njëri prej mbrojtësve kampion të të drejtave të artistëve për t’u shprehur lirshëm, nga shtrati i spitalit coi mesazhe se nuk e ka ndërmend t’u dorëzohet fanatikëve. Agjenti i tij tha se ai ventilatori (që të sëmurëve u ndihmon për të mbetur gjallë), i është hequr dhe se tani po flet e po tallet.

Arsyeja e këtyre rreshtave për Rushdienhtë për të dalë tek një temë tjetër. Kur NATO kishte hedhur bomba kundër regjimit të Millosheviqit për t’i çliruar kosovarët, bashkë me shkrimtarë e intelektualë botërorë, Rushdie ishte rreshtuar në anën e duhur – të kosovarëve. 

“Ndërhyrja e NATO’s është plotësisht e justifikuar nga gjithë ato vuajtje e çfilitje njerëzore që shohim përnatë në ekranet e televizorëve”, shkruante shkrimtari.

Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e Rushdie siç është botuar në librin “Lufta kundër luftës” bashkë me shkrimet e dhjetëra intelektualëve botërorë që kishin folur për bombardimet e vitit 1999.

Nga Kosova në Kolorado

Në betejën e ndezur për të fituar cmimin ndërkombëtar “I marri i vitit”, aktualisht janë dy persona të kalbrit të rëndë. I pari është shkrimtari austriak Peter Handke, i cili në një sërë deklaratash të pasionuara apologjetike për regjimin gjenocidist të Slobodan Milosheviqit, ka lënë gojëhapur madje edhe adhuruesit më të zjarrtë të veprës së tij. Gjatë një vizite të paradokohshme në Beograd, ai u dekorua me urdhërin e kalorësve serbë për shërbimet e zellshme propagandistike. Ndër idiotësitë e tij të pashoqe, Peter Handke na paska thënë se myslimanët e Sarajevës na qenkan masakruar rregullisht mes veti, vetëm e vetëm për t’ua lënë fajin serbëve, madje ka shkuar deri aty sa të mohojë gjenocidin e kryer prej këtyre të fundit në Srebrenicë. Ndërsa sot del e na i krahasaon bombardimet e aviacionit të NATO’s me invazionin e  jashtëtokësorëve në filmin “Mars attacs”, dhe sikur të mos mjaftonte kjo  përmes një lesh e lie metaforash kumbimzbrazët, vë në barazpeshë vuajtjet e serbëve me ato hebrenjëve në kohën e Holokaustit. Në këtë moment, që po shkruajmë këta rreshta, rivali i tij për budallëllëqe të nivelit botëror është aktori i kinematografisë, amerikani Charlton Heston. Komenti i tij në cilësinë e Presidentit të Shoqatës Kombëtare të Armëve të Shteteteve të Bashkuara të Amerikës, për masakrimin e parapakkohshëm të qenieve të pafajshme, nga duart e dy të rinjve Dylan Klebold e Eric Harris, në shkollën e mesme të Littletonit në Colorado është një nga kryeveprat më të spikatura të trapllëkut njerëzor; sipas bindjes së shprehur prej zotërisë në fjalë shkollat amerikane do të ishin ku e ku më të sigurta në qoftë se trupit pedagogjik do t’i ofrohej mundësia dhe sigurisht e drejta, për t’u armatosur dhe sigurisht për me të shtëna pisqolle me axhamitë që u janë besuar për t’i edukuar. Nuk e kam ndërmend që me një të rënë të lapsit të heq ndonjë paralele ndërmjet bombardimeve të NATO’s dhe vrasjes së kryer në Colorado. Jo, nuk është e thënë që një dhunë më e madhe të pjellë një dhunë tjetër më të vogël. Dhe ma do mendja, që nuk është aspak rasti të shohim përngjasime kuptimplota ndërmjet prirjeve hitleriane të Millosheviqit dhe festimeve kobndjellëse të ditëlindjes së Hitlerit nga ana e të ashtuquajturës “mafie e pardesyve”; apo në bashkëlidhjen edhe më rrënqethëse të mendësisë prej videolojërash të gjakësve të Colorados dhe pamjeve të marra drejtëpërsëdrejti nga avionët e të shpalosura rregullisht për çdo ditë gjatë konferencave të shtypit të NATO’s. Duhet pranuar që në lidhje me luftën jemi të shtrënguar të provojmë ndjesi të ndërdyshta kundrejt aksionit konfuz të ndërmarrë nga ana e NATO’s, si dhe të mënyrës së saj për t’i ndërruar kuajtë e politikës në garë e sipër. Sapo na thonë që kish qenë krejtësisht e pamundur të parashikohej shpagimi shtazarak i Millosheviqit ndaj Kosovës, një hop më pas e mohojnë dhe e shpallin që e gjithë kjo ishte diçka që pritej. Ose kjo tjetra: nuk parashikohet asnjë ndërhyrje me trupa nga toka, megjithëse po të shohim punën hollë – hollë edhe mundet. Meqë ra fjala, po objektivat e luftës? Janë tejet të kufizuar. Synojmë të krijojmë një port ku mund të kthehen refugjatët kosovarë. Megjithëse jo, jemi që jemi do të marshojmë deri në Beograd dhe do ta heqim qafe Millosheviqin. S’kemi ndërmend ta përsërisim të njëjtin gabim që e kemi bërë me Sadamin! Gjithsesi duhet thënë se është një gjë të bësh vërejtje ndaj gjithë këtyre ndërdyshjeve e kundërthënieve, por ama është krejtësisht ndryshe t’i bëhesh krah krimit, ashtu siç bën Peter Handke, me një dozë të theksuar ku çmenduria përzihet me cinizmin. Ndërhyrja e NATO’s është plotësisht e justifikuar nga gjithë ato vuajtje e cfilitje njerëzore që shohim përnatë në ekranet e televizorëve; t’ia veshësh ndërhyrjes së saj tragjedinë e refugjatëve nuk është as më shumë e as më pak, se sa të nxjerrësh të larë  milicinë serbe për krimet që ka kryer.Duhet thënë e stërthënë që faji për terrorin e viktimat bie mbi shpatullat e gjithë atyre që kanë kryer vrasje e akte terrorizmi. Ndërsa sa i takon plojës së Colorados duhet të pranojmë se shkaku i atij tmerri nuk janë vetëm armët. Fabrikimin e bombave killera’t e kanë mësuar nga Interneti, kurse idenë e pardesyve ua frymëzoi filmi që kishin parë me Leonardo Di Caprion. Pyetja që duhet ta shtrojmë është: nga kush kanë mësuar ta përçmojnë aq fort jetën njerëzore? Nga prindërit? Nga Marilyn Manson? Apo nga Goths? Por duke u shprehur kështu nuk do të thotë se mbajmë të njëjtin qëndrim të papërgjegjshëm me atë të Charlton Hestonit, sipas të cilit “thelbi i problemit nuk janë armët, por fëmijët”. Ka të ngjarë që zoti Heston të ketë njëfarë përvoje kur deklamon me tone biblike urdhëresa të tipit: mbro të drejtën tënde për të bredhur rrugëve pa të bërë tërr syri, i armatosur gjerë më dhëmbë e në sy të botës. Dhe të jesh i sigurt se askush s’do të ta shkul veshin, vetëm e vetëm se ndonjë çunak na e paska lënë lëkurën. Ç’është e vërteta Kosova dhe Colorado kanë diçka të përbashkët: na dëshmojnë se në këtë botë tonën të paqëndrueshme, fytyra të papajtueshme të këtij realiteti ndeshen mes tyre dhe përfundimi është përgjakja njerëzore. Veçse kjo nuk të ndalon të nyjëtosh një gjykim moral rreth varianteve kundërvënëse të botës që ndeshen mes tyre. Por qëndrimet e Handkes e Hestonit nuk ka se si të gjykohen ndryshe veçse si të turpshme e të patolerueshme dhe, për pasojë të fshihen një herë e mirë. Edhe pse ka qenë autor i filmit të jashtëzakonshëm “Flatrat e dëshirës” , Peter Handke, i përkufizuar një “përbindësh” nga njerëz si Alain Finkielkraut e Hans Magnus Enzensberger, nga filozofi slloven Slavoj Zizek, si dhe nga romansieri serb Bora Çosiç meriton veç të “hiqësohet” sipas shprehjes të Susan Sontag. Po ashtu Charlton Hestoni me atë surratin e vet gati-gati të ngurtësuar aq sa t’i çon ndërmend figurat skulpturat e Malit Rushmore, edhe pse iu ka dhuruar miliona spektatorëve çaste përgjumjeje të këndshme  në gjysmëterrin e sallave të kinemasë, nuk meriton veçse t’i heqësh vizën. Dhe tani le të kthehemi te kreu i shkrimit, kush do ta fitojë Çmimin? Peter Handke me marrëzinë e vet është shndërruar në bashkëfajtor të një prej tmerreve më të mëdha që ka parë njerëzimi, por për fat nuk zotëron kurrëfarë pushteti. Charlton Heston nga ana e vet, njeriu që kryeson në Shtetet e Bashkuara lobby’n e përhapjes së armëve po bën çmos që t’i bëjë pjesë integrale të  çdo shtëpie dhe familjeje amerikane. Kësisoj, ka të ngjarë që, në një nga ditët në vijim, diku në ndonjë cep të Amerikës, ndonjë djalosh të rrëmbejë si pa të keq pushkën e t’ua zbrazë shokëve të vet. Ndaj, duke parë se marrëzia e zotit Heston na shpaloset me një efikasitet të lartë, po ia dorëzoj atij këtë Çmim Ndërkombëtar. Por mos harroni se nuk kemi mbërritur ende në fund të semestrit të parë të këtij viti dhe nuk përjashtohet mundësia të na shfaqet ndonjë trap tjetër  edhe më i madh dhe ia rrëmben titullin. Prandaj le ti hapim sytë dhe t’i bëjmë katër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat