Kur duhet të fillojnë fëmijët të mësojnë Kur’anin

Lajme

Kur duhet të fillojnë fëmijët të mësojnë Kur’anin

Më: 30 mars 2023 Në ora: 23:24
Ekrem Ahmeti

Ekrem Ahmeti imam në xhaminë “Sylejman Mustafa” në Prishtinë në emisionin “Fanari” kushtuar muajit të Ramazanit ka folur për rëndësinë edukimit të fëmijëve për të lexuar dhe mësuar librin e shenjtë Kur’anin.

Ai tha se nuk ka ndonjë moshë të caktuar se kur duhet të fillohet me leximin e Kur’anit, por se duhet të fillohet kurdo që shihet se fëmijët janë të gatshëm.

“Në momentin që shihet se fëmija ka një talent ose e sheh që ai është drejt leximit, nuk ka ndonjë pengesë ose moshë të caktuar, e cila mund ta pengojë. Sipas edukatorëve dhe pedagogëve, fëmija në moshën pesë vjeçare është në gjendje deri në katër gjuhë t’i mësojë njëkohësisht pa pasur ndonjë telashe. Pra atë energji dhe kapacitet që Zoti i madhnueshëm ua ka dhënë fëmijëve do të varet prej neve kujdestarëve, mësimdhënësve se si do të arrijmë ta menaxhojmë atë dhe t’ua ofrojmë atë që është më e mira”, deklaroi Ahmeti.

Ai tha se mësimi në vegjëli është i paharrueshëm dhe se sa më herët që fillohet me mësimin e Kur’anit është më mirë.

“Sa më herët që fillojmë është më mirë, por jo doemos duhet të insistojmë në mësim, ndoshta dikush 5 vjet, 6, 7 apo edhe 8 vjet. Por nuk paraqet asnjë problem që fëmija të mësojë njëkohësisht edhe alfabetin e gjuhës edhe amtare, por edhe të mësojë në këtë rast mësimin e Kur’anit dhe përvoja na ka treguar se përkundrazi, fëmijët që kanë mësuar Kur’an e kemi vërejtur se kanë qenë edhe një hap para të tjerëve”, shtoi Ahmeti.

“Sa i përket mësimit përmendësh, çdoherë që prindërit do të kenë një konsideratë dhe do të kenë këtë preokupim që fëmijëve të tyre t’ua japin këtë dhuratë, dhe  e llogaris se dhuratë më të mirë dhe më të bukur sesa Kur’ani nuk mund t’u japim. Preferohet që së pari nëna gjatë shtatzënisë të dëgjojë dhe të lexojë Kur’an, ngase fëmija edhe pse është në barkun e nënës i përjeton ndjenjat që i përjeton edhe nëna… Pastaj kalon gradualisht në lexim dhe më pas në mësim të sureve”, tha ai.

Ahmeti gjithashtu tha se prindërit duhet të jenë shembull dhe të lexojnë Kur’an para fëmijëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat