Vuçiqi, për (mos) votimin e serbëve në Kosovë: Kushti i Kurtit i papranueshëm

Lajme

Vuçiqi, për (mos) votimin e serbëve në Kosovë: Kushti i Kurtit i papranueshëm

Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 10:52
Aleksander Vuçiq

“Duhet të jesh politikisht i verbër dhe të mos shohësh se çfarë po bën Kurti gjatë gjithë kohës”, është reagimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq me rastin e, siç Beogradi e interpreton, “moslejimit të Kosovës” që zgjedhjet serbe të mbahen në Kosovë më 17 dhjetor.

Beogradi ka vlerësuar se për shkak të “kushtëzimit të papranueshëm” nga ana e kryeministrit të Kosovës, është e pamundur të zhvillohen këto zgjedhje në Kosovë. Kryeministri Kurti po kërkon prej tyre marrëveshje speciale për zgjedhjet, përkatësisht kërkesë zyrtare që qytetarët serbë të Kosovës në të votojnë në zgjedhjet serbe në Kosovë.

Pala tjetër e interpreton si kushtëzim për “njohje të pavarësisë së Kosovës nga Beogradi”, që është e “papranueshme” për ta.

“Kurti do të thotë jo, KUINT-i do të dërgojë një deklaratë qortimi dhe ky është fundi i historisë”, këtë e ka thënë Vuçiqi në një konferencë për media me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg këtë javë.

Tani për të është “në pikëpyetje” edhe ajo deklaratë e KUINT-it.

“Siç i thashë Stoltenbergut, ata do të lëshojnë një deklaratë, por le të presim dhe të shohim nëse do ta lëshojnë atë deklaratë. Nëse fare e lëshojnë. Ky është maksimumi që ata do të bëjnë. Por edhe ajo deklaratë është në pikëpyetje”, ka pretenduar Vuçiqi.

Ai gjithashtu ka thënë se më shumë se kaq nuk duhet pritur, sepse “për serbët ekzistojnë disa rregulla, ndërsa për shqiptarët ato janë krejtësisht ndryshe”.

Ai ka pretenduar se nuk mendon se diçka do të ndryshojë në të ardhmen, të paktën kur bëhet fjalë për KUINT-in dhe fuqitë e mëdha perëndimore, të cilat “lindën të ashtuquajturën pavarësi të Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat