George Clooney e mbron Tom Cruisen për “reagimin e tepruar”

Mediale Vip

George Clooney e mbron Tom Cruisen për “reagimin e tepruar”

Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 18:30
George Clooney

Aktori George Clooney ka thënë se kolegu i tij aktor dhe producent, Tom Cruise, “nuk e teproi me reagimin”, kur i bërtiti ekipit filmik për shkak të shkeljes së udhëzimeve për mbrojtje nga COVID-19.

Një gjë të tillë, Clooney e ka thënë pasi që ka dalë në publik një audioincizim, në të cilin Cruise dëgjohet tek i kërcënon punëtorët se do t’i shkarkojë nga puna, gjatë xhirimit të filmit “Mission: Impossible 7”, në rast se e përsërisin të njëjtin veprim.

Clooney ka thënë për një radiostacion amerikan se do ta bënte të njëjtën gjë, po qe se do të ndodhej në situatë të ngjashme. Ai ka shtuar se e kupton krejtësisht aktorin, për shkak të “përgjegjësisë” që kishte.

“Ai nuk e teproi me reagim për shkak se është problem”, ka deklaruar Clooney për emisionin e Sirius XM DJ, duke promovuar njëherësh filmin e tij të ri “The MIdnight Sky”, ka raportuar revista “People”.

“Kam një mik që është asistent-drejtor në një emision tjetër televiziv, i cili e kishte saktësisht të njëjtën situatë, kur reagoi shkaku i mënyrës së shpërfilljes ndaj masave. Nuk do të shkoja aq larg, nuk do të shkoja deri në atë pikë që t’i nxirrja njerëzit nga puna”, ka shtuar Clooney.

“Jeni në pozitë pushteti dhe kjo është kurthuese, e dini? Keni përgjegjësi për të gjithë dhe ai ka absolutisht të drejtë në këtë pikë”.

Dhe, ka shtuar Clooney, nëse nuk respektohen masat kundër përhapjes së koronavirusit, atëherë njerëzit do të detyrohen të mbesin pa punë.

“Njerëzit duhet ta kuptojnë këtë dhe të tregohen të përgjegjshëm. Nuk është në natyrën time, e dini, të ngarkojë askënd me këtë formë”, ka theksuar ai.

Ndonëse ka bërë të ditur se nuk është i informuar për të gjitha rrethanat, Clooney ka supozuar se mund të jenë shkelur disa herë rregullat kundër koronavirusit para se Cruise të humbte durimin.

Në incizim, Cruise është dëgjuar duke bërtitur: “Ata janë kthyer në Hollywood të xhirojnë filma për shkak tonin. Ne po krijojmë mijëra vende pune. Pikë. Nuk ka kërkimfalje. Ju mund t’u tregoni njerëzve që po humbin shtëpitë e tyre, për shkak se industria është mbyllur”, thuhet në incizim.

“Nuk do të heqim dorë prej xhirimit të këtij filmi. A u kuptua? Nëse ndodh edhe një herë, do të pushoheni”.

Regjisorja që ka fituar “Oscar”, Ava DuVernay, ka thënë se në përgjithësi ekipet kanë punuar fort që të respektohen masat udhëzuese gjatë pandemisë. Ajo ka shtuar se është kundër mosrespektimit të masave, por se nuk do të sillej në mënyrë të ngjashme me punëtorët gjatë xhirimit.

“Nëse xhironi gjatë pandemisë, e dini se kërkohet përpjekje herkuliane për të vazhduar projektin duke respektuar protokollet e COVID-it”, ka thënë ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat