Pse një foto e Sara Karajt pa fotoshop ngjalli një lumë komentesh negative

Mediale Vip

Pse një foto e Sara Karajt pa fotoshop ngjalli një lumë komentesh negative

Më: 22 qershor 2021 Në ora: 06:43
Sara Karaj

Me siguri, kushdo që ka të paktën një rrjet social, e ka vënë re këto kohë që sapo i hap, një pafundësi fotosh me rroba banje, ose rroba minimaliste që tregojnë format e trupit të shfaqet para. Kudo trupa që vështirë t’u vësh re ndonjë imperfeksion. Bel i hollë, vithe të rrumbullakosura, gjoks i ngritur, bark i sheshtë, për të mos folur për celulitin që nuk duket fare, thuajse në asnjë vend. A është aty? Në mbi 90% të rasteve sigurisht që po, por jetojmë në epokën e filtrave dhe vështirë t’i rezistosh fotoshopit. Të mos e mohojmë, të gjithë e kemi përdorur fotoshopin të paktën një herë!

Dhe në foto të tilla, ku gjithçka duket perfekte, sidomos në profilet e personazheve të njohur, ka një lumë komentesh që kritikojnë përdorimin e editimeve për të fshehur imperfeksionet. Ka nga ata/ato që bëjnë moral se si duhet ta pranojmë trupin tonë, çfarë mesazhi duhet të percjellë personazhi te vajzat e reja që vuajnë me pasiguritë e tyre apo nga ata që s’mungojnë kurrë me komentet klishe “Hë se të kemi parë live, s’je fare kështu”, e deri tek fyerjet e llojeve të ndryshme.

Por çfarë ndodh kur dikush publikon një foto pa fotoshop? E njëjta gjë! Për të mos thënë që kritikohet e ofendohet edhe më rëndë.

Shembulli më i freskët për këtë është fotoja e Sara Karajt në plazh. Ajo është një personazh që ndiqet nga një numër i madh vajzash dhe që i pëlqen të publikojë foto pa filtra, ta lërë celulitin pa e bërë “smooth” dhe kilogramët pa “i reduktuar” me programe. Pse? Sepse kështu i pëlqen! Sepse është Instagrami i saj dhe sepse refuzon të tregojë në rrjete sociale diçka që nuk është. Ata që e ndjekin prej kohësh, e dinë që Sara preferon të jetë e vërtetë, edhe pse kjo gjë do të thotë të kesh shumë njerëz kundër.

Po, vlen të theksohet që Sara është edhe një mami e re dhe jo të gjitha mund t’i kthehen peshës që kishin para lindjes sa hap e mbyll sytë. Por edhe sikur të mos ishte kështu, kush jemi ne të kritikojmë dikë thjesht sepse nuk ka përmasat 90-60-90?! Mirëpo, bullizuesit që fshihen pas një tastiere s’duan t’ia dinë për asgjë dhe ndjejnë një lloj kënaqësie kur lënë një koment negativ. Për ta është thjesht e pamundur të mos komentojnë fare ose të bëjnë unfollow.

E njëjta gjë ndodh edhe nëse një vajzë e famshme që sapo ka lindur, u është rikthyer formave menjëherë. Edhe ajo “kryqëzohet” se pse e bëri, si ia doli sepse me siguri e ka lënë fëmijën për t'u marrë me veten, u është nënshtruar ndërhyrjeve, se nuk e ka lindur vetë dhe lloj-lloj teorish të ndryshme konspirative.

Dy shembuj që duken paradoksalë, por që i ndeshim rëndom në përditshmëri.

A do të arrijmë një ditë ta normalizojmë celulitin dhe format trupore të të gjitha përmasave?

Pse një vajzë duhet të kompleksohet për të dalë në plazh me bikini, vetëm sepse lëkura e saj nuk duket aq e lëmuar dhe e tërhequr si vajzat e Instagramit?! Instagrami nuk është i vërtetë, celuliti është! Ashtu siç është e vërtetë që deri në 98% e grave dhe vajzave kanë celulit, i cili nuk është domosdoshmërisht shenjë e një mënyre jo të shëndetshme jetese.

Celuliti dhe kilogramët e tepërt janë diçka normale, prandaj le të fillojmë t’i shohim si diçka të tillë. Le ta normalizojmë celulitin dhe format e ndryshme trupore!

 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Sara Karaj (@sara.karaj)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat