Rrëfimi emocionues i Adriana Matoshit: Vit i bukur, por i vështirë

Mediale Vip

Rrëfimi emocionues i Adriana Matoshit: Vit i bukur, por i vështirë

Më: 1 janar 2022 Në ora: 09:38
Adriana Matoshi dhe Keith

Viti që po e lëmë pas ka qenë i paharrueshëm për Adriana Matoshin.

Përveç që u zgjodh deputete e Kuvendit të Kosovës për herë të parë në zgjedhjet e 14 shkurtit, ajo pati edhe angazhime të tjera artistike, si pjesëmarrja në filmin “Zgjoi”, i cili tashmë ka hyrë në listën e ngushtë për nominime në “Oscar”.

Veç punës, aktorja shqiptare kaloi ditë e muaj e dashuruar kokë e këmbë me Keith Owen Groeneveld, partnerin e saj tash e një kohë, futbollist me prejardhje nga Belgjika. Keith i qëndroi pranë në të mirë dhe në të keq, në punë, sfida e momente lumturie, por shpesh edhe larg saj për shkak të punëve jashtë vendit. Megjithatë, dashuria e tyre po funksionon, madje siç ka thënë Adriana – “gjithmonë dashuria është e mirë, jo vetëm kur je afër, por edhe larg”.

Vitin 2021, Matoshi nuk do ta harrojë as ‘për të keq’. Asaj iu rikthye tumori pas plot nëntë vjetësh.

Në intervistën e mëposhtme për Klankosova, Adriana rrëfen e emocionuar se çka i ndodhi dhe si e kuptoi se në kokën e saj, ishte rikthyer sëmundja, dhe veç kësaj, krejt çka ajo bëri përgjatë viti të shkuar.

Çka kujton nga viti 2021?

Adriana Matoshi: Krejt çka më kujtohet është takime me shumë njerëz, punë shumë. Kam folur shumë, takime me gra e vajza të dhunuara fizikisht e psiqikisht, gra të maltretuara, vizita në spital e në familje të varfra. Tubime me njerëz, fotografi me njerëz, telefonata, emaila, shkolla me fëmijë, udhëtimi në Kosovë e Shqipëri për punë, familje shoqëri. Probleme, zgjedhje, pandemi, organizime, nervoz, vaj, të qeshura, intervista e seriale.

Sa suksese numëron përgjatë këtij viti, sa i përket profesionit si aktore?

Adriana Matoshi: Besom se nuk e di, më janë përzier të gjitha. E di që kam qenë e angazhuar në serinë “Shka je be tu folën” edhe pse pas shumë angazhimeve që i kam pasur viteve të kaluara, nuk e kam pasur fuqinë dhe vullnetin të bëjë diçka tjetër.

Pjesëmarrja në filmin “Zgjoi”, aktualisht në listën e ngushtë për nominime në “Oscar”, përvoja në xhirime dhe si po ndjehesh pasi gjithë suksesit që pati filmi këto kohë?

Adriana Matoshi: Jam jashtëzakonisht e lumtur për sukseset e filmit “Zgjoi”, jam e lumtur për Blerta Bashollin, për Yllka Gashin, sepse është punuar me vullnet të madh dhe me përkushtim të jashtëzakonshëm. Gjithmonë është kënaqësi të punosh në film sepse është sfidë dhe ke përgjegjësi të madhe sidomos kur temat janë të bazuara në ngjarje të vërteta. Jam e lumtur që kam pasur fat të përzgjidhem të luaj një nga rolet e atyre grave të Krushës. Gjithashtu jam tejet e lumtur që një nga ngjarjet dhe historitë e Kosovës ka mundësi t’i shoh bota.

Dashuria me Keith, marrëdhënie në distancë, si e përshkruan?

Adriana Matoshi: Gjithmonë dashuria është e mirë, jo vetëm kur je afër, por edhe nga larg. Një fjalë e mirë, një telefonatë është shumë motivuese dhe e dashur kur fjalët e bukura dalin nga shpirti.

Zgjedhja si deputete në Kuvendin e Kosovës, përvoja jote deri më tani?

Adriana Matoshi: Përgjegjësi e madhe, ngarkesë dhe shumë lodhje, sidomos për mua që kam hyrë pa u marrë kurrë me politikë. Në fillim kam vëzhguar, i kam mësuar disa terme që nuk i kam ditur çka janë, dhe në kokën time shumë gjëra nuk funksionojnë dhe kam filluar të punoj ashtu si unë mendoj se është më së miri.

Shpesh larg familjes dhe fëmijëve për shkak të punëve si deputete dhe aktore, si ia dole t’i arrish të gjitha?

Adriana Matoshi: Mua Zoti me ndihmon gjithmonë, më jep forcë dhe vullnet. E di që gjithçka ai e ka shkruar të ndodhë edhe të punoj, gjërat gjithë më kanë ardhur pa i menduar, punët gjithashtu. Shpesh mendoj diçka tjetër dhe krejt diçka tjetër më ndodh dhe gjithmonë kam pasur sukses. Punën e bëj me nder pa e nënvlerësuar askënd dhe pa u përzier në punën e tjetrit. Gjithmonë familjen e kamnë krah dhe punoj për ta, para familjes nuk e kam askënd, por shoqërinë e kam aty ngjitur me familjen, i kam të shenjta.

Së fundmi, sfida më e vështirë e këtij viti, rikthimi i sëmundjes. Na shpjego pak si e kuptove dhe cili është çelësi yt që përdore për të qenë kaq optimiste dhe për të dalë sërish fitimtare pas një operacioni goxha të vështirë?

Adriana Matoshi: Nuk e di për sa kohë e kam pasur tumorin në kokë sepse unë vazhdimisht kam punuar dhe kam qenë shumë e lodhur. Nganjëherë kam fjetur më shumë dhe jam zgjuar e lodhur, nganjëherë nuk kam fjetur hiç dhe prapë e lodhur. Nuk jam ndal asnjëherë edhe pse nuk mundesha. Kah fundi nuk kisha artikulim të mirë, më humbte mendimi gjatë bisedave, isha gjysmë e fjetur, dhe krejt në fund kisha marramendje e mundim, me vinte nxehtë dhe më shtrëngonte koka prapa. I bëra kontrollat dhe më doli ajo çka e prisja.

Cili është mesazhi yt për të gjithë ata që të ndjekin, të duan dhe të uruan shëndet ndërsa ti po operoheshe në Tiranë?

Adriana Matoshi: Për të gjithë lexuesit, ndjekësit, ata që më duan por edhe ata që nuk më duan… Faleminderit shumë nga thellësia e zemrës për lutjet e juaja, ma keni lehtësuar dhimbjen, ma keni larguar trishtimin, ma keni mbushur zemrën me forcë. Mos gjykoni, mos paragjykoni, duajeni njëri-tjetrin, zgjoheni më lirshëm. Gëzuar festat, begati e shëndet.

Çka do të dëshiroje të të sjelli viti 2022?

Adriana Matoshi: Shëndet për krejt familjen dhe shoqërinë e të gjithë njerëzit që nuk i njoh. Paqe, gëzime e hare.

Aktorja u rikthye në Kuvend në dy seancat e fundit, duke i treguar të gjithëve se është e fortë mjaftueshëm për të ‘goditur’ një sëmundje vdekjeprurëse siç është kanceri.

Ajo rrezatoi plot lumturi dhe dukej aq bukur sa të gjithë deputetët e duartrokitën për rikthimin e saj dhe forcën që gjeti, pak javë pasi përjetoi ndoshta operacionin më të vështirë të jetës së saj.

Image
Adriana Matoshi në Kuvend
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat