Pas premierës së “Dashuri e Turbulenca”, Rudina Dembacaj gati për një fëmijë, aktorja flet për marrëdhënien me Markun

Mediale Vip

Pas premierës së “Dashuri e Turbulenca”, Rudina Dembacaj gati për një fëmijë, aktorja flet për marrëdhënien me Markun

Më: 10 prill 2022 Në ora: 14:52
Rudina Dembacaj

“Dashuri dhe Turbulenca” thotë gjithçka për jetën e Rudina Dembacajt. Aktorja e mirënjohur ka ardhur si producente në filmin e fundit dhe titulli nuk mund t’i shkonte më përshtat gjithë rrugëtimit të saj. Në intervistën e saj dhënë për “Panorama Plus”, ajo rrëfen sesi erdhi ky film, duke na zbuluar edhe sfidat që hasi, por edhe frutat e suksesit. Por natyrisht, që nuk mund të shmangnim pyetjet për jetën private. 

Ajo dhe Mark Frroku janë gati për fëmijën e tyre, që mesa duket është edhe kërkesa e fëmijëve të tyre.

“Dashuri dhe Turbulenca”, si erdhi ky film? 

Ky film erdhi si produkt dashurie të madhe e një ekipi që ka dashur çdo batutë të tij që nga fillimi.

Si shkoi premiera e filmit, i përmbushi pritshmëritë tuaja? 

Ishte një pasdite shumë emocionuese, ishte një miks ndjenjash të forta që as nuk i linin radhë njëra-tjetrës. Kaloi mrekullisht falë Zotit. Shumë shfaqje, shumë lodhje, shumë sukses, por ndoshta edhe shumë ezaurim.

Mendoni se sjellja e një filmi pas “Boing Boing” do të kishte impaktin e shfaqjes?

Teatri gjithmonë ka për të qenë emocion i patjetërsueshëm, por filmi do ju kënaq vërtet. Filmin do doni ta shihni disa herë jam e sigurt pasi freskia e një prodhimi cilësor gjithmonë është i mirëpritur.

Mund të themi se ky ishte projekti juaj i parë si producente, për të pasur të tjerë më pas?

Punë e lodhshme shumë… (qesh). Në fakt nga natyra që kam i futem detit me këmbë dhe ia dal mbanë. Tani që ja mora dorën, pa diskutim që nuk do ndalem. Projektet e tjera janë pas dere dhe unë jam gati të nis nga e para.

Si ka qenë për ju kjo sfidë, sa ndryshon nga aktrimi? Cilat ishin sfidat që hasët?

Sfidë nga fillimi në fund. Aktrimi është i brendshëm e ndjen çdo grimasë, është talent, kontribut personal. Të jesh producente do të thotë të kesh vëmendje ndaj detajeve, të duash projektin aq shumë sa ta bësh të mundur, të bindësh botën se projekti yt vlen shumë.

Vitet e fundit keni provuar të bëni shumë gjëra në ekran. Nëse do të duhet të zgjidhnit, ku do të qëndronte Rudina? 

Nuk kam provuar, ia kam dalë me sukses.. (qesh) Aktoren e humorit e bëj me kënaqësi, rolet, energjinë e humorit e dua shumë, por nuk do lija pas dore prezantimin apo edhe biznesin.

Flasim pak për Rudinën, atë të rrjeteve sociale, plot ironi dhe autoironi, realisht sa ju prekin komentet negative? 

Rudina e rrjeteve sociale është e njëjta me atë që shihni kudo, thjesht fotot zgjedh më të bukurat kuptohet… (qesh) Nuk më prekin fare sinqerisht, i marr me humor dhe sportivitet gjithmonë. E kuptoj dhe negativitetin, nuk e kanë me mua, e kanë me jetën e tyre. Autoironia më mban me këmbë në tokë, edhe unë këtu jetoj.

Ka thënë ndonjëherë Rudina: “E mbylla me famën, mediat, rrjetet sociale, tani do jetoj jetën e lumtur?” 

Nëse do të ishte në emër të lumturisë patjetër, por unë jam e lumtur dhe “fshati që duket s’do kallauz”.

Nuk mund të mos bëjmë një intervistë me Rudinën pa folur pak dhe me Markun, sa ka ndryshuar marrëdhënia juaj me martesën?

E vetmja gjë që ka ndryshuar është se tani kemi dhe disa kujtime fantastike nga dasma dhe njerëzit tanë, sa i përket marrëdhënies tonë e kuptuam që ishim bërë për njëri-tjetrin që në fillim të lidhjes tonë.

Keni disa kohë që flisni për dëshirën për një fëmijë tjetër, kur do të na i jepni lajmin e mirë?

Dashtë Zoti sa më shpejt, e duam kaq shumë familjen tonë të madhe dhe nëse do jemi të bekuar me një fëmijë tjetër, jo vetëm ne por gëzimi do mbërrijë tek e gjithë familja.

Po fëmijët tuaj a ju ngacmojnë shpesh për një vëlla ose motër? 

Sa herë që flitet për këtë teme emocionohen se mos ka të reja dhe direkt nisin me kërkesa dhe ëndrra, por e rëndësishme është të gjithë jemi gati për një bekim të madh.

Nëse do të takonit Rudinën e para 10 viteve, çfarë do t’i thoshit sot? 

O burrneshë, bravo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat