Ofendoi me terma seksist Zhaklin Lekatarin në emision live, reagon zyrtarisht Bieta Sulo

Mediale Vip

Ofendoi me terma seksist Zhaklin Lekatarin në emision live, reagon zyrtarisht Bieta Sulo

Më: 4 tetor 2022 Në ora: 13:13
Bieta Sulo

Pas jehonës që pati debati dhe përplasja verbale mes Olsi Jazexhi dhe Zhaklin Lekatari, Bieta Sulo bëri sot një deklaratë në nisje të emisionit.

“Debati në lidhje me poligjininë, i zhvilluar në “Ftesë në 5” në dy puntata javën që shkoi, pati një jehonë të madhe publike. Megjithëse e prisnim një jehonë të tillë, ajo i tejkaloi edhe parashikimet tona. Debati u zgjerua në rrjetet sociale, por edhe në bisedat e zakonshme të ndjekësve të emisionit në dy drejtime: poligjinia vetë, si dhe episodi aspak i bukur dhe aspak qytetar i përplasjes së ashpër verbale midis Olsi Jazexhiut dhe Zhaklinë Lekatarit.

Agresioni verbal i Jazexhiut ndaj Lekatarit, mori përgjigje të menjëhershme gjatë kohës së transmetimit të drejtpërdrejtë. Fillimisht Jazexhiut iu kërkua që të moderonte tonet e bisedës, më pas iu ul mikrofoni dhe në fund pasi iu bë thirrje që të kërkonte publikisht falje dhe ai nuk pranoi, iu ndërpre lidhja duke e nxjerrë jashtë emisionit.

Në Shqipëri, është bërë më se e zakonshme të shikojmë debate toksike, ku fyerjet fluturojnë sa nga një anë në anën tjetër dhe denigrimi i individit është kthyer në armë debati që ka zëvendësuar logjikën dhe argumentin. Për ne të “Ftesë në 5”, kjo është e papranueshme dhe është shkelje e standardit të komunikimit televiziv. Për këtë arsye si asnjëherë më parë në këtë vend dhe për herë të parë për një arsye të tillë, unë vendosa të largoj nga emisioni të ftuarin që u soll si agresor, pasi disa herë iu bë thirrje të moderohej dhe iu dha mundësia të kërkonte ndjesë përgjatë transmetimit te drejtpërdrejtë.

Ngjarja dhe debati qoftë edhe i ashpër në studio, në bindjen time është në interes jo vetëm të suksesit të emisionit, por mbi te gjitha të emancipimit të një shoqërie ku bashkëjetesa e ideve të ndryshme dhe pse jo edhe të kundërta, është një normë, dhe jo një përjashtim.

Në bindjen time debati kultivon tolerancën. I vetmi qëndrim intolerant imi dhe televizionit ku unë punoj, është ai ndaj denigrimit të personalitetit. Besoj që edhe kjo ngjarje e javës që shkoi e vërteton këtë. Faleminderit.”

Pasi dënoi gjuhën e Olsi Jazexhi gjatë transmetimit ‘live’, Bieta bëri edhe një reagim në rrjetet sociale pas përfundimit të emisionit, ku përforcoi qëndrimin e saj kundër dhunimit dhe uljes së figurës së gruas.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat