Shpërfytyruan me shishe qelqi Klea Prengën, ja sa vite burg kërkon Prokuroria e Tiranës për motrat Berisha

Mediale Vip

Shpërfytyruan me shishe qelqi Klea Prengën, ja sa vite burg kërkon Prokuroria e Tiranës për motrat Berisha

Më: 25 mars 2025 Në ora: 14:21
Foto ilustrim

Prokuroria e Tiranës ka dhënë pretencën për motrat Marinela dhe Antonela Berishën, të cilat shpërfytyryan me shishe qelqi blogeren Klea Prenga në një lokal në kryeqytet.

Organi i akuzës ka kërkuar 3 vite burg për Marinelën, nënë e një fëmije, dhe 3 vite shërbim prove për Antonela Berishën.

Dy motrat përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar dhe nëse dënohen, Marinela do qëndrojë 2 vite pas hekurave, ndërsa Antonela do të kryejë 2 vite shërbim prove.

Antonela dhe Marinela Berisha u vetëdorëzuan në polici mbrëmjen e së mërkurës (16 Tetor) pasi më shumë se dy muajsh në kërkim.

“Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 09.08.2024, ku në një lokal te Kodra e Diellit, shtetaset A. B. dhe M. B. (motra) kanë goditur me shishe qelqi në fytyrë shtetasen K. P., ju njoftojmë se:

Sot më datë 16.10.2024, rreth orës 19:00, këto dy shtetase janë vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Në vijim të veprimeve u bë ekzekutimi i vendimit penal të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetases M. B., dhe masën e sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndaj shtetases A. B. Materialet i kaluan Prokurorisë”, njoftoi policia.

Në seancën e 18 tetorit 2024, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Mariela Berishajn nga “arrest me burg” që ishte, ndërsa la të pandryshuar masën “detyrim për paraqitje” për motrën e saj, Antonela Berishaj.

Gjatë seancës gjyqësore Marinela Berishaj kërkoi falje dhe mëshirë duke u shprehur se është nënë me një fëmijë 2 vjeç.

“Jam në një bashkëjetesë dhe kam një fëmijë 2 vjeç, i cili ka nevojë për mua dhe për praninë dhe kujdesin tim. Kërkoj mëshirë”, ka thënë ajo.

Para togave të zeza ajo është shprehur po kalonte një periudhë të vështirë psikologjike.

“Kërkoj falje për çfarë kam bërë. Nuk e kam dëshiruar, dhe nuk e kam kërkuar apo planifikuar një situatë të tillë dhe aq më pak një pasojë të tillë. Kam mbi një vit që po kaloj një moment dhe një situatë të vështirë psikologjike. Jam në një bashkëjetesë, dhe kam një fëmi 2 vjeç, i cili ka nevojë për mua dhe për praninë dhe kujdesin tim. Kërkoj mëshirë”, tha Marinela Berishaj para Gjykatës.

Ndërkohë, ish-banorja e Big Brother Vip, Antonela Berishaj, ka dëshmuar se sipas tyre ato kanë qënë në restorant për të darkuar dhe janë provokuar nga Klea Prenga.

Antonela kërkoi ndjesë publike dhe është shprehur e gatshme për të bërë gjithçka për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të ndihmuar Klea Prengën të rehabilitohet fizikisht.

“Më vjen shumë keq për çfarë ka ndodhur. Nuk ka qenë aspak qëllim i yni që të ndodhte një ngjarje dhe aq më tepër një pasojë e tillë. Kemi shkuar në restorant, të dyja me motrën për të darkuar. Në një moment ajo është ngritur rrëmbyeshëm nga tavolina, e provokuar nga sjellja e viktimës. Në gjaknxehtësi e sipër, aty në moment, ka rrëmbyer një gotë dhe e ka qëlluar viktimën. Kam ndërhyrë mes tyre vetëm për t’i ndarë, dhe mbi të gjitha për të mbrojtur motrën time. Ka një vit që nuk ndihet aspak mirë. E provokuar në mënyra të ndryshme. Më vjen shumë keq dhe nuk e shikoj dot motrën time në këtë gjendje. Kërkoj ndjesë, dhe jam e gatshme të bëj gjithçka për të normalizuar marrëdhëniet dhe për ta ndihmuar viktimën të rehabilitohet fizikisht, për sa na takon. Kërkoj ndjesë publike përpara Gjykatës”, ka dëshmuar Antonela Berishaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat