Aimee Lou Wood ka tërhequr shumë vëmendje për pamjen e saj karakteristike me hapësirën mes dhëmbëve, me shumë njerëz që e kanë lavdëruar si një freski autentike për Hollywood-in. Por ylli i “White Lotus” nuk është shumë e lumtur me gjithë këtë fiksim mbi pamjen e saj, shkruan CNN News.
Britanikja 31-vjeçare, e cila luan Chelsean, një nga personazhet më të dashura në serialin e suksesshëm të HBO-së, foli për revistën British GQ rreth gjithë komenteve për pamjen e saj – veçanërisht për nofullën e saj të theksuar.
Wood i tha GQ-së se përqendrimi i tepërt te dhëmbët e saj e ka bërë të ndihet sikur ka diçka “qesharake” që ende nuk e ka “rregulluar” te vetja. “Më bën vërtet të lumtur që kjo simbolizon rebelim dhe liri, por ka një kufi”, tha ajo. “E gjithë biseda është vetëm për dhëmbët e mi, dhe kjo më trishton pak sepse nuk po më jepet mundësia të flas për punën time”.
Ajo shtoi se nuk mund të mos pyeste veten nëse një aktor mashkull do të merrte të njëjtin nivel vëmendjeje për pamjen e tij. “Nuk e di, nëse do ishte fjala te një burrë, a do flisnim kaq shumë për këtë?” tha Wood, e cila ka qenë gjithashtu një personazh i dashur në serialin e Netflix-it “Sex Education”.
Ajo pranoi se kishte ndjerë pasiguri dhe ishte bërë e vetëdijshme për “çuditshmërinë” e saj edhe përpara se seriali të transmetohej, gjatë xhirimeve në Tajlandë.
Një moment që e ka prekur veçanërisht ishte kur një producent i tregoi se krijuesi i serialit, Mike White, kishte luftuar shumë që ajo të zgjidhej për rolin.
“Dikush më tha sa shumë kishte luftuar Mike për mua. Më thanë: ‘Duhej të ishe ti, pavarësisht se çfarë thoshte HBO’”, kujtoi ajo.
“Ishte me të vërtetë nga një vend shumë dashamirës, por mendja ime e vogël mendoi: ‘HBO nuk më donte. Dhe e di pse nuk më donin, sepse jam e shëmtuar. Mike duhej të lutej: ‘Ju lutem, më lini ta marr vajzën e shëmtuar!’” i tha ajo revistës.
Një tjetër moment gjatë xhirimeve ishte kur po realizonin një skenë ku personazhi i saj, Chelsea, vrapon drejt të dashurit të saj, Rick, në plazh, dhe një kameraman e lavdëroi për “vrapimin e çuditshëm”.
“Frank, kameramani, më tha: ‘Ai vendimi që more për vrapimin e çuditshëm? Gjenial ishte’”, kujtoi ajo. “Dhe unë mendova: ‘Frank, ai është vrapimi im i vërtetë’”.