Austria shpallet fituese e Eurovizion 2025 - Shqipëria zë vendin e 8-të

Mediale Vip

Austria shpallet fituese e Eurovizion 2025 - Shqipëria zë vendin e 8-të

Më: 17 maj 2025 Në ora: 16:06 Përditësuar në ora: 21:17 më 17.05.2025
JJ

Fituesi i vitit të kaluar, Nemo hap naten finale të Eurovision 2025, me një performancë fantastike

Mbrëmjen e sotme ka nisur nata më e rëndësishme e spektaklit muzikor më të ndjekur në Europë – finalja e Eurovision Song Contest 2025, që këtë vit po mbahet në qytetin e Bazelit në Zvicër.

Spektakli u hap nga fituesi i vitit të kaluar, artisti zviceran Nemo, i cili mahniti publikun me një performancë artistike dhe vizualisht mbresëlënëse, duke rikthyer në skenën e Eurovision-it energjinë që e bëri fitues në vitin 2024.

Nemo, i njohur për stilin e tij unik dhe shpesh eksperimental, u shfaq me një paruke të madhe të bardhë dhe një fustan të gjatë në të bardhë, duke krijuar një atmosferë enigmatike dhe teatrale që menjëherë tërhoqi vëmendjen e publikut në arenën e mbushur plot.

Performanca e tij u shoqërua me efekte vizuale moderne dhe një koreografi të menduar në detaje, duke dëshmuar edhe një herë se përse ai konsiderohet si një nga zërat dhe figurat më interesante në skenën muzikore evropiane të momentit.

Pas hapjes madhështore nga Nemo, në skenë do të ngjiten artistë nga 26 vende finaliste, të cilët do të garojnë për të fituar zemrat e publikut dhe votat e jurive profesionale nga e gjithë Evropa dhe më gjerë.

Ndërkohë, Shqipëria është një nga vendet që pritet me shumë interes, pasi këtë vit përfaqësohet nga dyshja shqiptare “Shkodra Elektronike”, të cilët do të interpretojnë këngën “Zjerm” – një krijim që është vlerësuar si një prej më artistikeve dhe emocionalisht të fuqishme të këtij edicioni.

Me një mesazh të thellë shpirtëror dhe një përzierje unike të muzikës elektronike me elementë tradicionalë shqiptarë, “Zjerm” ka marrë vlerësime të shumta pozitive nga kritika dhe publiku.

Performanca e Shqipërisë pritet më vonë gjatë mbrëmjes, dhe shumë fansa janë të emocionuar për të parë se si do të paraqitet një nga këngët më të veçanta të kësaj gare.

Eurovision 2025 ka nisur në mënyrën më të fuqishme të mundshme – dhe nata premton emocione të forta, art të vërtetë dhe një garë të zjarrtë për trofeun. 

Eurovisioni 2025, publikohet procedura e votimit, ja si do të veprohet në rast se dy këngë kanë të njëjtin numër pikësh

Edicioni i 69-të i Festivalit të Këngës në Eurovision 2025 kulmon sonte me Finalen e Madhe. Në këtë mbrëmje do të interpretohen 26 këngë dhe pas 4 orësh muzikë, performancash, argëtimi dhe emocionesh, do të mësohet edhe fituesi i Festivalit të Këngës në Eurovision 2025.

Shfaqja fillon në orën 21:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt nga St. Jakobshalle në Bazel të Zvicrës.

Prezantueset janë Hazel Brugger, Michelle Hunziker dhe Sandra Studer. Renditja e këngëve është vendosur nga Korporata Zvicerane e Transmetimeve (SRG SSR) bazuar në short. Kënga ‘Zjerm’ e Shkodra Elektronik do të jetë e 26-ta.

Por si do të votohet?

Procedura e votimit, sipas faqes zyrtare të Festivalit të Këngës në Eurovision 2025, do të ndjek të njëjtën procedurë si dy vitet e fundit.

Çdo vend pjesëmarrës do të ketë dy grupe pikësh me nga 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 10 dhe 12 pikë për të dhënë. Një grup për jurinë e secilit vend dhe një grup për televotimin e secilit vend. Votat online të vendeve që nuk marrin pjesë në Festival, do të kenë të njëjtën peshë si vendet pjesëmarrëse.

Secili prej 37 vendeve pjesëmarrëse në Eurovisionin e këtij viti do të mund të votojë.

Çdo vend ka një juri kombëtare e cila jep një grup pikësh me 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 10 dhe 12 pikë.

Çdo vend do të ketë televotim, i cili gjithashtu rezulton në një grup prej 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 10 dhe 12 pikësh.

Votimi online nga vendet që nuk marrin pjesë në Festivalin e Këngës në Eurovision 2025 ka të njëjtën peshë si një vend pjesëmarrës: 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 10 dhe 12 pikë.

Së pari, pikët e jurisë do të prezantohen individualisht nga një zëdhënës për secilin vend.

Së dyti, pikët nga televotimi do të grumbullohen dhe do të jepen të kombinuara.

Juritë kombëtare votuan dje në mbrëmje (e premte, 16 maj) gjatë provës së dytë gjenerale.

Nëse dy vende kanë të njëjtat pikë, një rezultat i kombinuar kombëtar i televotimit dhe jurisë do të llogaritet vetëm për qëllimin e zgjidhjes së situatave të barazimit. Më e mira nga të dyja është kënga që ka marrë pikë nga numri më i madh i vendeve nga llogaritja e kombinuar kombëtare e televotimit dhe jurisë.

Finalja e madhe e ‘Eurovision 2025’

Sonte është nata e madhe – finalja e Eurovision Song Contest 2025 dhe ne jemi këtu për ta ndjekur bashkë hap pas hapi këtë spektakël muzikor që mban gjithë Evropën të mbërthyer para ekranit.

Shqipëria këtë vit përfaqësohet nga grupi Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”, një miks i fuqishëm i motiveve tradicionale dhe tingujve elektronikë modernë.

Ata do të performojnë të 26-tët në radhë, dhe pritshmëritë janë të mëdha!

Nga skena madhështore në qytetin mikpritës, deri te momentet emocionuese të votimit – qëndroni me ne për të ndarë emocionet, komentuar performancat dhe për të mbështetur artistët tanë.

Krejt çka duhet të dini për Eurovizionin para finales së madhe

Festivali i 69-të i Këngës në Eurovision po i afrohet finales së madhe në qytetin zviceran të Bazelit.

Artistë muzikorë nga 26 vende do të ngjiten në skenën e arenës St. Jakobshalle të shtunën, në një garë që ka bashkuar dhe ndarë evropianët që nga viti 1956.

Ja gjithçka që duhet të dini para finales së madhe, që mbahet sonte në orën 21:00.

Çka është Eurovizioni?

Eurovizioni është një konkurs ku interpretues nga vende të ndryshme të Evropës, dhe disa përtej saj, garojnë nën flamujt kombëtarë me synimin për t’u shpallur kampionë të kontinentit.

Mendojeni Eurovizionin si Olimpiadën e muzikës apo Kupën e Botës me këndim në vend të futbollit.

Është një festë e argëtimit dhe fuqisë unifikuese të muzikës, por gjithashtu edhe një vend ku politika dhe rivalitetet rajonale dalin në pah.

“Është ngjarja më e madhe kulturore e Evropës”, tha Dean Vuletiq, një ekspert i historisë së Eurovizionit për agjencinë e lajmeve AP.

“Ka vazhduar për pothuajse 70 vjet dhe njerëzit duan ta shohin, jo vetëm për spektaklin, shkëlqimin, efektet e skenës, kostumet e çmendura, por edhe sepse e shohin si një pasqyrim të frymës së kohës në Evropë”, përfundoi ai.

Kush është në finalen e Eurovizionit 2025?

Nga 37 vende që dërguan interpretime në Eurovizion, 11 u eliminuan nga votimi publik në gjysmëfinalet e së martës dhe së enjtes.

Gjashtë të tjera u kualifikuan automatikisht për në finale: nikoqirja Zvicra dhe “Pesëshja e Madhe” që kontribuon më shumë financiarisht në konkurs — Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar.

26 vendet që konkurrojnë të shtunën, sipas rendit të interpretimit, janë: Norvegjia, Luksemburgu, Estonia, Izraeli, Lituania, Spanja, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar, Austria, Islanda, Letonia, Holanda, Finlanda, Italia, Polonia, Gjermania, Greqia, Armenia, Zvicra, Malta, Portugalia, Danimarka, Suedia, Franca, San Marino dhe Shqipëria.

Favoritët, sipas bastvënësve, janë KAJ, që përfaqësojnë Suedinë me “Bara Bada Bastu”, një serenatë gazmore për saunën.

Këngëtari holandez Claude është gjithashtu shumë i vlerësuar me baladën shpirtërore “C’est La Vie”, si dhe përfaqësuesit e Shqipërisë, Shkodra Elektronike, me këngën “Zjerm”.

Favoritë të tjerë përfshijnë austriakun e trajnuar në mënyrë klasike JJ me këngën pop-operë “Wasted Love”, dhe izraeliten Yuval Raphael me himnin “New Day Will Rise.”

Çfarë muzike është ajo e Eurovizionit?

Eurovizioni ka një reputacion për europop-in me tekste pa kuptim — fitues të mëparshëm përfshijnë këngët “La, La, La” dhe “Boom Bang-a-Bang.”

Por, ky festival ka prodhuar edhe disa hite të qëndrueshme të muzikës pop. Dhe ndihmoi në ngritjen e yjeve si ABBA — fitues në 1974 me “Waterloo” — Celine Dion; performuesi drag austriak, Conchita Wurst; dhe grupi rok italian, Maneskin.

Finalistët e këtij viti variojnë nga rokistët emo lituanezë, Katarsis, te diva spanjolle e baladave të fuqishme, Melody, dhe rokistët progresivë ukrainas, Ziferblat.

Dikur besohej gjerësisht se këngët më të suksesshme të Eurovizionit ishin në anglisht, por kjo po ndryshon. Festivali i këtij viti përfshin këngë në një rekord prej 20 gjuhësh.

Vuletiq tha se shikuesit sot duan “më shumë autenticitet në prezantimet e Eurovizionit”.

“Ata nuk duan vetëm një këngë standarde pop në anglisht,” tha ai. “Ata duan gjithashtu të shohin diçka për kulturën e vendit që përfaqëson kënga”.

Si zgjidhet fituesi?

Pasi të gjitha këngët të jenë interpretuar në finale, fituesi zgjidhet përmes një kombinimi të ndërlikuar të votimeve me telefon dhe online nga mbarë bota dhe renditjeve nga juria e industrisë muzikore në secilin nga vendet e Eurovizionit. Ndërsa rezultatet shpallen, vendet ngjiten dhe zbresin në renditje dhe tensioni rritet.

Përfundimi me zero pikë konsiderohet një turp kombëtar.

A është Eurovizioni një zonë pa politikë?

Motoja e festivalit është “të bashkuar nga muzika”, por ndarjet politike pa dyshim që ndikojnë.

Rusisë iu ndalua garimi pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, dhe që atëherë muzikantët ukrainas — përfshirë fituesin e vitit 2022, Kalush Orchestra — kanë garuar nën hijen e luftës në atdhe.

Konkursi i këtij viti është trazuar për të dytin vit radhazi nga mosmarrëveshjet rreth pjesëmarrjes së Izraelit.

Dhjetëra ish-pjesëmarrës, përfshirë Nemo-n, kanë kërkuar përjashtimin e Izraelit për shkak të sjelljes së vendit në luftën kundër Hamasit - grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja - në Gazë.

Protesta pro-palestineze dhe pro-izraelite janë mbajtur në Bazel, megjithëse në shkallë shumë më të vogla sesa në konkursin e vitit të kaluar në Suedi.

Një grusht protestuesish u përpoqën të ndërprisnin një provë të këngëtares izraelite Raphael të enjten me flamuj të mëdhenj dhe bilbila, por u nxorën nga arena. Organizatorët thonë se kanë shtuar masat e sigurisë para finales./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat