Artisti shqiptar me famë ndërkombëtare, Gjon’s Tears, ishte në një lidhje në ‘Shqipëria Live’ ku ka folur për eksperiencën e tij këtë vit në Eurovision.
Ai ishte i ftuar special për të interpretuar këngën e tij që më herët kishte marrë pjesë në këtë kompeticion.
I njëjti tri vjet më parë konkurroi në Eurovision për Zvicrën dhe arriti në vendin e dytë.
Për këngën e Shqipërisë këtë vit, ai tha se i pëlqeu shumë dhe ishte një këngë që kombinonte elemente që përfaqësojnë Shqipërinë, por dhe elemente moderne.
“Kisha një kënaqësi të madhe të jem i ftuar në këtë edicion, më kanë thirrur në tetor dhe më kanë thënë që nuk e dimë se ku do të organizohet, por në fillim më kanë kërkuar për ta prezantuar, por u thash se kjo nuk është në zhvillimin e karrierës time dhe u thash që me kënaqësi të madhe do vi të këndoj këngën time. Kjo ishte krenaria ime më e madhe që të vija siç doja unë, dhe të gjitha gjërat që kërkova të organizon në skenë, u bënë”, u shpreh ai.
Tutje theksoi: “Isha shumë krenar për Shqipërinë, kënga më pëlqen shumë. Ka nuanca të Shqipërisë, por duhet të shkosh dhe me një këngë moderne, dhe ia kanë arritur shumë mirë”.
Shkodra Elektronike me “Zjerm” u rendit në vendin e tetë në Eurovision 2025 që u mbajt në Bazel të Zvicrës.