Miley Cyrus ka thyer heshtjen lidhur me marrëdhënien e babait të saj, Billy Ray, me Liz Hurley — pasi është pajtuar me të pas një përçarjeje familjare, sipas The Sun.
Këngëtarja e hitit Wrecking Ball, 32 vjeç, tregoi se po e përballon romancën e re të tij “si një e rritur”. Miley kishte ndërprerë kontaktet me yllin e muzikës country, 63 vjeç, pas përfundimit të martesës 30-vjeçare të tij me nënën e saj, Tish Purcell, 58 vjeçe, në vitin 2023.
Por tani ajo i dëshiron “lumturi” babait të saj, i cili është martuar tri herë, dhe Liz-it, 59 vjeçe, pavarësisht se ka përjetuar “dhimbje” duke parë ndarjen e prindërve të saj.
Miley tha: “Po sillem si e rritur. Në fillim është e vështirë, sepse fëmija brenda teje reagon përpara se e rritura në ty të thotë, ‘Po, është babai yt, por ai është edhe një person që meriton të jetë në paqe dhe i lumtur.’ Fëmija im i brendshëm e ka arritur tashmë këtë”.
Ylli i dikurshëm i Disney Channel tha se arsyet e problemeve të saj i lidh me afërsinë që ka me nënën — e cila kishte qenë gruaja e dytë e Billy Ray-it, pasi ai ishte divorcuar nga Cindy Smith në vitin 1991.
Ajo i tha podcast-it të New York Times: “Nëna ime e ka dashur vërtet babain tim gjatë gjithë jetës së saj, dhe mendoj se të jesh e martuar me dikë nga industria muzikore pa qenë pjesë e saj është, natyrisht, shumë e vështirë.
“Mendoj se kam marrë mbi vete disa nga dhembjet e nënës sime si të mijat, sepse asaj i dhembte më shumë se sa më dhembte mua si e rritur, dhe kështu unë e përvetësova shumë nga dhimbja e saj”.
Duke konfirmuar se është pajtuar plotësisht me babanë e saj, Miley shtoi: “Ka kaluar mjaft kohë që na ka ribashkuar të gjithëve. Mendoj se koha është gjithçka”.
Billy Ray u njoh me yllin e filmit Austin Powers, Liz, në xhirimet e filmit të tyre të vitit 2022, Christmas in Paradise. Ata dolën publikisht me një fotografi romantike në një fushë në prill.
Më parë, Billy Ray kishte kërkuar ndihmën e Liz-it kur martesa e tij e tretë me këngëtaren australiane Firerose u shkatërrua pas shtatë muajsh vitin e kaluar.
Një burim tha: “Të gjithë thoshin se janë shumë të ndryshëm, por në fakt janë shumë të ngjashëm — kanë shumë gjëra të përbashkëta dhe të njëjtat interesa, dhe Billy është gjithashtu shumë tipi i saj”.
Liz zbuloi muajin e kaluar se është gati ta çojë marrëdhënien në një nivel tjetër, duke përgatitur prezantimin e Billy Ray-it me familjen e saj.
Ai pritet të takohet me ta javën e ardhshme në Angli, kur ajo do të festojë ditëlindjen e saj të 60-të.