Që kur hoqën dorë nga detyrat zyrtare në familjen mbretërore, princi Harry dhe Meghan Markle kanë larguar nga puna 25 persona. Sipas “Page Six”, kjo lidhet me nevojën për të mbuluar shpenzimet personale të çiftit.
Sipas të dhënave të “Page Six”, princi Harry dhe Meghan Markle kanë shkurtuar numrin e punonjësve, sidomos në ekipin e tyre të komunikimit, për të kursyer shpenzime. Në qershor të vitit 2025 u raportua se ata kishin pushuar nga puna edhe gjashtë anëtarë të stafit, përfshirë dy përfaqësuesit e tyre të brendshëm.
Tani, sipas të njëjtit burim, numri i personelit të larguar që nga viti 2020, kur ata nuk kanë më detyra zyrtare si përfaqësues të Familjes Mbretërore, ka arritur në 25, përfshirë edhe disa largime që ende nuk janë bërë publike.
Po ashtu, marrëveshja e tyre me Netflix, e cila thuhet të vlejë deri në 100 milionë dollarë (me disa burime që e vlerësojnë më afër 20 milionë), skadon këtë vit, gjë që krijon një nevojë për të ardhura të reja. Çifti ka shpenzime vjetore prej rreth 2 milionë dollarësh, sipas portalit amerikan.
Pas transferimit në Shtetet e Bashkuara, “Page Six” raporton se Harry dhe Meghan kanë shpenzuar 14.65 milionë dollarë për blerjen e shtëpisë së tyre në Montecito, Kaliforni. Dokumentet e pronësisë tregojnë se ata kanë marrë një kredi prej 9.5 milionë dollarësh, që duhet të shlyhet me interesa deri në vitin 2050, çka tregon se kanë paguar një avans prej 5 milionë dollarësh.
Ata duhet gjithashtu të paguajnë një taksë vjetore të konsiderueshme prej 288 mijë dollarësh për pronën. Përveç kësaj, ata mbulojnë shpenzimet për stafin e komunikimit, zyrën personale, Fondacionin Archewell, prodhimet e tyre dhe punonjësit e pronës në Montecito.