Këngëtarja e njohur Zaimina Vasjari, e cila prej kohësh ka zgjedhur të qëndrojë larg ekranit dhe vëmendjes televizive, ka folur së fundmi hapur për jetën e saj personale dhe marrëdhënien me partnerin Klodian Asllani, me të cilin është dashuruar që në moshën 17-vjeçare.
Në rrëfimin e saj, Zaimina lë të kuptohet se e ka kuptuar shumë herët që Klodiani do të ishte njeriu me të cilin do të ndërtonte jetën, pikërisht në momentin kur ai i tregoi se ishte i gatshëm të luftonte për të dhe për marrëdhënien e tyre.
“E kuptova që ishte i duhuri kur më zgjati dorën dhe më tha ‘je zgjedhja ime’, kur luftoi për mua, për gjithçka. Ai e shikonte jetën me mua dhe unë mendoj që bëra zgjedhjen e duhur në jetën time. Klodi më dha gjithë lumturinë e botës”, shprehet ajo.
Sipas këngëtares, zgjedhja e një partneri nuk është një vendim sipërfaqësor dhe nuk lidhet thjesht me pëlqimin e parë apo me pamjen e jashtme.
Ajo thekson se të zgjedhësh të dashurosh dikë është një akt i fortë dhe i thellë emocional, që kërkon përkushtim dhe ndjenjë të vërtetë.
“Të zgjedhësh një njeri nuk është thjesht ‘e pashë, më pëlqeu’ dhe kaq. Nëse zgjedh të dashurosh dikë, kjo është më e fortë dhe nuk është vetëm pamja”, u shpreh Zaimina.
Ndër të tjera ajo u ndal edhe te paragjykimet që shpesh shoqërojnë jetën personale të figurave publike, duke bërë thirrje për më shumë mirëkuptim dhe më pak gjykim. Ajo thekson se vetëm personat që janë brenda një marrëdhënieje e dinë realisht nëse janë të lumtur apo jo.
“Gjërat bëhen me zemër. Vetëm personi që zgjedh e di më mirë nëse ndihet mirë apo keq, nëse është i lumtur apo jo në një marrëdhënie. Nëse një njeri është i lumtur, atëherë pse duhet të gjykohet?”, tha ajo në Podcast me Alketa Vejsiun.
Kujtojmë që tashmë Zaimina është nënë e dy fëmijëve, një vajze dhe një djali. Po ashtu pjesë e familjes së tyre është edhe vajza e Klodianit nga një martesë e hershme.