Brooklyn Beckham flet për herë të parë: Kam ndërprerë marrëdhëniet me familjen time

Mediale Vip

Brooklyn Beckham flet për herë të parë: Kam ndërprerë marrëdhëniet me familjen time

Më: 20 janar 2026 Në ora: 09:53
Brooklyn Peltz Beckham dhe Nicola Peltz Beckham

Një përplasje publike në rrjetet sociale ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, pasi Brooklyn Peltz Beckham, djali i madh i David dhe Victoria Beckham, ka deklaruar se ka ndërprerë marrëdhëniet me familjen e tij.

26-vjeçari ka reaguar për herë të parë publikisht për konfliktin, përmes një postimi të gjatë në Instagram, ku pranon hapur përçarjen me prindërit dhe vëllezërit e motrën.

Në deklaratën e tij, Brooklyn akuzon prindërit se kanë kontrolluar për vite me radhë narrativat mediatike për familjen dhe se kanë tentuar të dëmtojnë martesën e tij me bashkëshorten, Nicola Peltz Beckham.

“Kam heshtur për vite dhe jam përpjekur që këto çështje të mbeten private. Por prindërit e mi dhe ekipi i tyre kanë vazhduar t’i drejtohen mediave, duke më detyruar të flas vetë”, shkruan ai.

Sipas Brooklyn, ai nuk ka asnjë dëshirë për pajtim dhe për herë të parë në jetën e tij po qëndron për veten. Ai shton se është rritur në një mjedis ku imazhi publik dhe postimet në rrjetet sociale kanë pasur përparësi ndaj marrëdhënieve reale familjare.

Brooklyn pretendon se prindërit kanë shpërndarë, sipas tij, informacione të pavërteta në media për të ruajtur imazhin e familjes, shpesh në kurriz të personave të pafajshëm.

Nicola Peltz Beckham, vajza e miliarderit amerikan Nelson Peltz, u martua me Brooklyn në vitin 2022. Ajo ka qenë në qendër të përplasjeve mes tij dhe familjes Beckham, sipas deklaratës së vetë Brooklyn.

Në postimin e tij, ai rrëfen se nëna e tij anuloi në momentet e fundit përgatitjen e fustanit të nusërisë për Nicolën, duke e detyruar atë të gjente një alternativë me urgjencë. Ai gjithashtu pretendon se prindërit ushtruan presion që ai të hiqte dorë nga të drejtat mbi emrin e tij para dasmës.

Sipas tij, tensionet vazhduan edhe gjatë organizimit të ceremonisë, ndërsa pas dasmës sulmet, siç i cilëson ai, janë intensifikuar përfshirë edhe përplasjet në rrjetet sociale me vëllezërit e tij.

Brooklyn ka bërë edhe akuza të rënda personale, duke pretenduar se nëna e tij ndërhyri në kërcimin e parë të çiftit gjatë dasmës, duke e bërë atë të ndihej i poshtëruar para të ftuarve.

Ai shton se bashkëshortja e tij është trajtuar pa respekt nga familja Beckham dhe se nuk është ftuar në festën e 50-vjetorit të babait të tij.

Sipas Brooklyn, “marka Beckham” dhe interesat tregtare kanë pasur gjithmonë përparësi ndaj lidhjeve familjare. Ai mohon pretendimet se bashkëshortja e tij e kontrollon, duke theksuar se për pjesën më të madhe të jetës ka qenë nën kontrollin e prindërve.

Brooklyn thotë se është rritur me ankth të vazhdueshëm dhe se vetëm pas largimit nga familja ka gjetur qetësi dhe stabilitet emocional.

“Ne duam vetëm paqe, privatësi dhe lumturi, pa presionin e imazhit dhe mediave”, shkruan ai.

Brooklyn Beckham ka eksperimentuar më herët me fotografinë dhe kulinarinë. Në vitin 2017 ai publikoi librin What I See, ndërsa në vitin 2024 lançoi markën e salcave pikante Cloud23.

David dhe Victoria Beckham janë kontaktuar për koment, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kanë reaguar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat