Vanessa Trump, ish-gruaja e Donald Trump Jr, djalit të madh të presidentit amerikan, u diagnostikua me kancer në gji. Lajmin e njoftoi ajo në një postim në rrjetet sociale.
Vanessa Trump tha se iu nënshtrua një procedure mjekësore në fillim të kësaj jave dhe i kërkoi publikut të respektojë privatësinë ndërsa përqendrohet te shëndeti dhe rikuperimi i saj.
Ajo u nda nga Donald Trump Jr, me të cilin ka pesë fëmijë, në vitin 2018. Vanessa Trump dhe golfisti profesionist amerikan Tiger Woods njoftuan se ishin në lidhje vitin e kaluar.
“Po qëndroj e përqendruar dhe plot shpresë, ndërsa jam e rrethuar nga dashuria dhe mbështetja e familjes sime, fëmijëve të mi dhe atyre që janë më afër meje. Faleminderit për mirësinë dhe mbështetjen tuaj, kjo me të vërtetë do të thotë më shumë sesa mund ta shpreh”, tha Vanessa Trump.
Postimi i saj në rrjetet sociale mori qindra mesazhe mbështetjeje, përfshirë edhe nga Ivanka Trump, vajza e madhe e presidentit.
“Duke u lutur për forcën tënde të vazhdueshme dhe një shërim të shpejtë, Të dua”, shkroi ajo në postimin e Vanessa Trump.
Vanessa Trump, një ish-modele, u prezantua me ish-bashkëshortin e saj nga presidenti në fillim të viteve 2000. Çifti u martua në vitin 2005 në Mar-a-Lago, pronën e presidentit në Florida.
Tani të divorcuar, ata kanë pesë fëmijë nga mosha 11 deri në 19 vjeç. Vajza e tyre 19-vjeçare, Kai Trump, ka një numër të madh ndjekësish në mediat sociale dhe është parë shpesh në Shtëpinë e Bardhë me gjyshin e saj.
Sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit, rreziku mesatar i një gruaje në SHBA për të zhvilluar kancer të gjirit është rreth 1 në 8, ose 13%. Sëmundja gjithashtu përbën 30% të të gjitha kancereve të reja femërore çdo vit.
Trajtimet kanë përparuar, duke përfshirë terapi më të synuara për kancerin e hershëm të gjirit, lloje të reja të terapive hormonale dhe radioterapi më të saktë dhe efektive.