​29 vjet pa Lady D

Mediale Vip

​29 vjet pa Lady D

Më: 31 gusht 2026 Në ora: 08:18
Lady D

Sot mbushen 29 vjet nga vdekja tragjike e princeshës Diana, një prej figurave më të dashura të familjes mbretërore britanike, e njohur në mbarë botën si Lady D.

Imazhi dhe mirësia që ajo përcolli në mbarë botën duket se nuk janë zbehur, edhe pse kanë kaluar 29 vjet nga aksidenti tragjik në Paris, më 31 gusht 1997.

Diana vazhdon të ngjallë emocione te publiku, ndërsa figura e saj mbetet e rrënjosur në kujtesën kolektive.

Së fundmi është hapur edhe një galeri me fotografi dhe sende që lidhen me Dianën dhe dy djemtë e saj. Në mesin e materialeve të ekspozuara janë edhe fotografi të realizuara në vitin 1991, shkruan ANSA.

Diana njihej për angazhimin e saj humanitar dhe mbështetjen ndaj shtresave në nevojë.

Me gjestet, afërsinë dhe brishtësinë e saj, ajo arriti të krijonte një lidhje të veçantë me njerëzit. U angazhua në fushata kundër minave tokësore, mbështeti Kryqin e Kuq dhe sfidoi paragjykimet ndaj personave me HIV/AIDS, duke u takuar dhe përqafuar publikisht me pacientë.

Në kujtesën publike, përtej epitetit “princesha e popullit”, mbetet imazhi i një gruaje të re që sfidoi shumë prej konvencioneve të familjes mbretërore.

Megjithatë, kujtimi i Dianës nuk ka arritur t'i ribashkojë dy djemtë e saj, William dhe Harry.

Mosmarrëveshjet mes tyre vazhdojnë, veçanërisht pas largimit të Dukës së Sussexit nga detyrat mbretërore në vitin 2020 dhe zhvendosjes së tij në Shtetet e Bashkuara, ku jeton me bashkëshorten Meghan dhe fëmijët e tyre.

Ndërkohë, tabloidët britanikë po spekulojnë për një pajtim të mundshëm mes Harry-t dhe babait të tij, Mbretit Charles III, në prag të përvjetorit të katërt të vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II.

Harry pritet të jetë në Londër më 8 shtator për të marrë pjesë në një aktivitet bamirësie për fëmijët e sëmurë, duke vazhduar në këtë mënyrë një pjesë të trashëgimisë humanitare të nënës së tij.

Harry, i cili në autobiografinë e tij “Spare” ka folur hapur për raportin me familjen mbretërore dhe kufizimet e jetës brenda saj, thuhet se po punon edhe në një dokumentar për Netflix kushtuar nënës së tij, përpara 30-vjetorit të vdekjes së Dianës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat