Kosova me përqindjen më të ultë në rajon të femrave të punësuara

Mitrovica

Kosova me përqindjen më të ultë në rajon të femrave të punësuara

Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 16:11
Tryeza me temën “Punësimi i Vajzave-Grave dhe Zhvillimi i Karrierës së tyre” të organizuar nga Organizata për Zhvillim Civil (CDO) në Mitrovicë.

Femrat cilësohen të fuqishme dhe këmbëngulëse. Ka femra shumë të suksesshme dhe me karrierë, por megjithatë të jesh femër dhe të jesh e suksesshme në Kosovë, nënkupton të kalosh një jetë plot sfida.

Kështu u tha sot në Mitrovicë, gjatë tryezës me temën “Punësimi i Vajzave-Grave dhe Zhvillimi i Karrierës së tyre” të organizuar nga Organizata për Zhvillim Civil (CDO) në Mitrovicë.

Merita Mripa, menaxhere e projekteve në CDO, ka prezantuar të arriturat e këtij projekti, duke thënë se të rinjtë kanë pasur dhe do të kenë mundësinë të njoftohen me masat dhe programet që ofron Zyra për Punësim dhe Qendra për Aftësim Profesional në Mitrovicë.

Sipas saj, projekti ka për qëllim mbështetjen dhe bashkëpunimin për krijimin e tolerancës për ta stimuluar dialogun dhe debatin pozitiv, duke rritur pjesëmarrjen e të rinjve në promovimin e reformës së përfaqësimit, edukimit dhe punësimit, duke njohur dhe përfituar nga masat dhe programet që Zyra për Punësim ofron për të rinjtë.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i CDO-së në Mitrovicë, Migjen Abrashi, pasi falënderoi Zyrën për Punësim, Qendrën për Aftësim Profesional dhe Drejtorinë e Arsimit si partnerë të këtij projekti, tha se bashkërisht po bëhet më lehtë e mundur që në mënyrë sa më të mirë të realizohet projekti një vjeçar i CDO-së, i cili u përkrah edhe nga ATRC/USAID.

Besmir Salihu, drejtor i Zyrës për Punësim në Mitrovicë, ka paraqitur të dhënat nga kjo zyrë, me ç’rast tha se janë gjithsej 5 mijë e 300 punëkërkues aktiv në sistem, prej të cilëve 45 përqind femra. Ai bëri të ditur se punëkërkuesit në kuadër të kësaj zyre trajtohen në dy mënyra, nga zbatimi i programeve, masave të tregut të punës, si dhe përmes ndërmjetësimit.

“Në nivel vendi në vitin 2017 janë gjithsej 27 përqind të punësuar, apo 36 mijë persona, dhe prej tyre vetëm 12.7 përqind janë femra. Kosova ka përqindjen më të ultë në rajon të të punësuarve femra”, ka thënë Salihu.

 Ai vlerësoi lart bashkëpunimin me CDO-në dhe projektin në përgjithësi, për çka tha se po u ofrohet të rinjve mundësi për t’u njohur me masat e tregut të punës, profesionet, kurset dhe trajnimet e ndryshme.

Edhe Arjeta Mehmeti nga Kolegji Ndërkombëtar IBCM, theksoi se studentët e IBCM-së vijojnë teorinë dhe praktikën në të njëjtën kohë, zhvillojnë ide për biznese, Start Up, trajnime dhe aftësime të ndryshme.

 “Janë rreth 85 përqind të studentëve nga Kolegji IBCM, të cilët kanë diplomuar dhe janë punësuar menjëherë në tregun e punës”, tha ajo.

Në këtë tryezë u përmendën emrat e Valbona Sadiku, Flutura Beka dhe Bardha Ibishi, si tre raste të suksesshme nga ana e femrave në fushën e shoqërisë civile, biznesit dhe politikës.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat