I akuzuari pa dokument identifikimi të Kosovës, gjykatësi thotë se nuk mund të akuzohet personi që ligjërisht nuk ekziston

Prishtina

I akuzuari pa dokument identifikimi të Kosovës, gjykatësi thotë se nuk mund të akuzohet personi që ligjërisht nuk ekziston

Më: 26 maj 2021 Në ora: 17:03
Ilustrim

Pasi i akuzuari Adnan Arifi nuk posedon mjet identifikimi të lëshuar nga Republika e Kosovës, ka dështuar të nis gjykimi në rastin ku Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkon atë me veprën penale të armëmbajtjes pa leje dhe atë të posedimit të paautorizuar të narkotikëve.

E lidhur me këtë, gjykatësi Alban Ajvazi ka deklaruar se nuk mund të akuzohet personi që ligjërisht nuk ekziston në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së mërkurës, Arifi deklaroi se nuk është i regjistruar në Kosovë dhe se të vetmin dokument të cilin e posedon është certifikata e lindjes së Serbisë.

“Nuk jam i regjistrum hiq. Babi është tu dashtë me ma nxjerrë një leje qëndrim veç, se letërnjoftim s’po mujsha me nxjerrë”, ka thënë i akuzuari.

Gjykatësi Ajvazi tha se është mendimi juridik i Gjykatës Supreme që thotë se çdo aktakuzë duhet pasur të bashkangjitur një dokument identifikues.

“Është mendimi juridik i Gjykatës Supreme, prokurori i shtetit e ka obligim që çdo aktakuze duhet me ju bashkëngjitë dokumenti identifikues. Këtu asnjë dokument identifikues nuk ka. Nuk mundet me u akuzu personi i cili nuk ekziston. Ky ligjërisht nuk ekziston në Kosovë”,  deklaroi gjykatësi Ajvazi.

I njëjti e ka pyetur prokuroren Bukurije Gjonbalaj nëse e ka intervistuar ndonjëherë të akuzuarin, e cila pohoi ta ketë bërë një gjë të tillë, por tha se nuk e mban në mend nëse është ai, pasi intervistimi deklaroi se është bërë në vitin 2017.

Prokurorja Gjonbalaj propozoi që për seancën e radhës i akuzuari të paraqitet në gjykatë së bashku me njërin prind.

Kurse, gjykatësi Ajvazi kërkoi nga i akuzuari që afat prej 30 ditësh të nxjerrë një dokument identifikues nga Republika e Kosovës, ashtu që të mund të procedohet rasti.

Seanca e së mërkurës u shty për 14 korrik 2021, në ora 10:30.

Në bazë të aktakuzës së ngritur më datë 28 shkurt 2017, Adnan Arifi po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se me 9 shtator 2015, rreth orës 21:00, në oborrin e shkollës fillore “Meto Bajraktari” në Prishtinë, në momentin kur i ka vërejtur pjesëtarët e policisë, e ka hedhë në tokë revolen e tipit “Zastava” dhe një karikator me dy fishekë.

Më këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 të KPRK-së.

Tutje, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, Adnan Arifi në bashkëkryerje me të miturin L.L., në të njëjtën ditë, vend dhe kohë, kanë hedhë në tokë katër qese të substancave narkotike, të cilat i kanë poseduar pa autorizim, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes.

Për këtë ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 273, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat