Asambleisti i VV-së, Enver Redenica, ka kritikuar qeverisjen e kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama, pas reshjeve të shiut që kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim dhe përmbytje në disa pjesë të Prishtinës.
Përmes një postimi në Facebook, Redenica ka thënë se mjaftuan vetëm disa orë shi që kryeqyteti të përballet me bllokim të rrugëve, ndërsa ka përmendur edhe përmbytjen e Tunelit të Kurrizit.
Ai ka theksuar se qytetarët po përballen me vështirësi për të lëvizur dhe për të arritur deri në shtëpitë e tyre.
Në reagimin e tij, Redenica ka drejtuar kritika edhe ndaj kryetarit Përparim Rama, duke pretenduar se nuk është ndarë asnjë cent për përballimin e vërshimeve në Prishtinë, as në buxhetin e vitit 2026 dhe as në atë të vitit 2027.
Postim i plotë:
Mjaftuan disa orë shi që Prishtina të bllokohet. Rrugë të pakalueshme, rrugica të mbushura me ujë, e Tuneli i Kurrizit i përmbytur. Qytetarët nuk po munden as deri në shtëpitë e tyre të shkojnë!
Mos harroni, qytetarë të dashur, se i pandehuri Përparim Rama nuk ka ndarë asnjë cent për vërshimet në Prishtinë, as në buxhetin e vitit 2026 e as në atë të vitit 2027.
Ky është Smart City i Përparim Ramës: një shi me ra, Prishtina bëhet liqe!