​Prishtina me plot mbeturina, Musmurati akuzon Muratin për mosnënshkrim kredie

Prishtina

​Prishtina me plot mbeturina, Musmurati akuzon Muratin për mosnënshkrim kredie

Më: 10 nëntor 2026 Në ora: 15:25
Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka folur për shqetësimet për gjendjen e mbeturinave në kryeqytet, duke theksuar se kapacitetet e Kompanisë Rajonale “Pastrimi” janë të pamjaftueshme për menaxhimin e situatës. Në konferencë për media, ajo ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, për mosnënshkrimin e një marrëveshjeje kredie në vlerë prej 74 milionë eurosh nga Banka Zhvillimore Gjermane (KfË), e cila, sipas saj, do të mundësonte përmirësimin e shërbimeve të pastrimit.

Musmurati bëri të ditur se projekti parasheh blerjen e 100 kamionëve të rinj dhe 10 mijë kontejnerëve për mbeturina, ndërsa shpjegoi se procedurat për realizimin e tij kanë nisur që në vitin 2024.

Nënkryetarja e Prishtinës flet për marrëveshjen e kredisë prej 74 milionë eurosh nga KfË.

“Kapacitetet e Kompanisë Rajonale Pastrimi për mbledhjen e mbeturinave janë tejet të limituara.. Do të tregoj për pritjen trivjeçare të kompanisë për blerjen e 100 kamionëve të rinj, 10 mijë kontejnerëve dhe përmes një kredie prej 74 milionë eurove nga Banka Zhvillimore Gjermane që nuk po e nënshkruan Hekuran Murati... Më 30 prill 2024 filluan negociatat zyrtare mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj gjermane, ku ishte edhe projekti për pastrimin e Prishtinës. Më pas, pasi që përfundoi procesi, më 10 shtator 2024 u njoftua Ministria e Financave se qeveria gjermane miratoi projektin. Më 26 shtator u dërguan draftmarrëveshjet për grantet nga Qeveria gjermane. Murati e ka pasur në tavolinë nënshkrimin e kredisë për implementimin e projektit për pastrimin e Prishtinës. Kam insistuar që komuna e Prishtinës, kompania pastrimit dhe KFË gjermane të dërgojnë një letër të përbashkët tek Murati, për të kërkuar nënshkrimin e kësaj kredie, ky projekt është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha ajo.

Sipas Musmuratit, pavarësisht nga takimet e zhvilluara dhe dokumentacionit të përgatitur, marrëveshja ende nuk është nënshkruar. Ajo theksoi se Kompania Rajonale “Pastrimi” aktualisht operon me vetëm 12 kamionë funksionalë, numër të cilin e konsideron të pamjaftueshëm për nevojat e kryeqytetit.

Nënkryetarja e Prishtinës ka kërkuar sqarime nga ministri Murati për arsyet e mosnënshkrimit të marrëveshjes, duke pretenduar se vonesat lidhen me bllokada politike.

Musmurati kërkon sqarim nga ministri i Financave për “bllokadën” e marrëveshjes

“Më 25 qershor përfaqësuesit janë takuar me Hekuran Muratin, ende ka vazhdar që kjo kredi të mos nënshkruhet. Kam realizuar edhe një takim javën e kaluar me Bankën Zhvillimore Gjermane, ku jam njoftuar që ministri nuk po e nënshkruan marrëveshjen. Nga Murati kërkoj të tregoj arsyen e kësaj, bllokade për ne që është e pakuptimtë. Kompania “Pastrimi” operon me 12 kamionë funksional, as afër me atë që na duhet për të pasur menaxhim të mbeturinave. Kemi një projekt të përgatitur prej vitesh, me mbështetje financiare gjermane, me dokumentacion, me vendim të qeverisë për finalizimin e marrëveshjes. Hekuran Murati ka në tavolinë një dokument që mund ta nënshkruaj. Ne po kërkojmë përgjigje të qartë, pse po e bllokoni pastrimin e Prishtinës, çfarë faji kanë qytetarët? Gjithçka ka ngecur për shkak të inateve politike dhe bllokadave”, tha ajo.

Duke shpjeguar planin për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave, Musmurati tha se, në rast të nënshkrimit të marrëveshjes, kamionët e rinj do të mund të mbërrinin në Prishtinë brenda një deri në dy vjet.

Musmurati tregon se kur do të arrijnë kamionët, nëse marrëveshja nënshkruhet sot nga Murati.

“Në qoftë se ai e nënshkruan sot, për një periudhë një apo dy vjeçare, kamionët do të jenë në Prishtinë. Por gjithsesi, ne kemi paraparë edhe një periudhë ku kompania Pastrimi me mjetet e grandit që do të jepte qeveria gjermane ta bënte lizing e kamionëve, derisa të rinjtë të vinin”, tha ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat