Higjiena dhe mungesa e ngrohjes ndërpresin mësimin në “Mehmet Gjevori”

Prishtina

Higjiena dhe mungesa e ngrohjes ndërpresin mësimin në “Mehmet Gjevori”

Më: 5 nëntor 2026 Në ora: 20:56
Shkolla “Mehmet Gjevori” në Prishtinë

Prindërit e nxënësve të shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Mehmet Gjevori” kanë vendosur që nesër të bojkotojnë mësimin për shkak të kushteve të papërshtatshme në shkollë.

Vendimi është marrë pas një votimi me përfaqësuesit e prindërve, ku shumica janë deklaruar në favor të bojkotimit të procesit mësimor.

Sipas njoftimit të Këshillit të Prindërve dhe KDSH-së, ndër arsyet kryesore të këtij vendimi janë gjendja e rënduar e higjienës në shkollë, si pasojë e grevës së punëtorëve teknikë, e cila po vazhdon tash e shtatë javë, si dhe mosfunksionimi i sistemit të ngrohjes.

Në njoftim bëhet e ditur se sistemi i ngrohjes ka dalë jashtë funksionit një ditë më parë dhe se, pavarësisht kërkesës së drejtoreshës për ndërhyrje, deri në momentin e publikimit të njoftimit nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim për riparimin e tij. Si pasojë, mësimi është zhvilluar pa ngrohje.

Prindërit kërkojnë nga institucionet përgjegjëse zgjidhje urgjente dhe sigurimin e kushteve elementare për nxënësit. Përmes bojkotimit të mësimit, ata synojnë të tërheqin vëmendjen e institucioneve ndaj problemeve të pazgjidhura në këtë shkollë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat