Lëvizja Vetëvendosje – Qendra e Prishtinës ka akuzuar qeverisjen komunale të kryetarit Përparim Rama për shpenzimin jashtë destinimit të mbi 2.18 milionë eurove nga fondet e kredisë së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Përmes një reagimi në Facebook, kjo qendër e LVV-së është thirrur në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, sipas të cilave, gjatë vlerësimit të pajtueshmërisë së pagesave të realizuara nga Komuna e Prishtinës, janë identifikuar shpenzime prej 2,180,417 eurosh për projekte që nuk ishin të përfshira në marrëveshjet e financimit me BERZH-in.
Sipas LVV-së, këto mjete ishin të dedikuara për përmirësimin e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike, shkolla dhe çerdhe, përfshirë përmirësimin e sistemeve të ngrohjes, izolimin termik dhe zëvendësimin e dyerve e dritareve.
Megjithatë, siç thuhet në reagim, një pjesë e konsiderueshme e tyre është shpenzuar për projekte të tjera.
Reagim i plotë:
2,18 MILIONË EURO U SHPENZUAN JASHTË DESTINIMIT. SHKOLLAT U LANË PA NGROHJE!
Sipas gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, në kuadër të vlerësimit të pajtueshmërisë së pagesave të realizuara nga Komuna e Prishtinës, janë identifikuar shpenzime prej 2,180,417 eurosh nga fondet e kredisë së BERZH-it për projekte që nuk ishin të përfshira në marrëveshjet e financimit.
Këto mjete ishin të dedikuara për përmirësimin e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike, shkolla e çerdhe, përfshirë përmirësimin e sistemeve të ngrohjes, izolimin termik dhe zëvendësimin e dyerve e dritareve.
Vetëm për kontratat e ndriçimit publik, të cilat si Lëvizje VETËVENDOSJE! i kemi denoncuar në Prokurorinë Speciale, janë shpenzuar 700,374 euro, ndonëse këto punime nuk ishin pjesë e marrëveshjeve me BERZH-in.
Ndërkohë, nxënësit dhe mësimdhënësit në shumë shkolla të kryeqytetit po detyrohen ta zhvillojnë mësimin në kushte të padinjitetshme, për shkak të mungesës së ngrohjes adekuate. Kjo gjendje po e rrezikon seriozisht mbarëvajtjen e procesit të rregullt mësimor.
Në vend që të japë llogari për menaxhimin e këtyre fondeve, Përparim Rama vazhdon të drejtojë akuza të paqena ndaj nivelit qendror, duke tentuar ta zhvendosë përgjegjësinë për problemet në shkollat e Prishtinës. Gjetjet e auditimit tregojnë se të gjitha pretendimit e z.Rama për bllokadë të këtyre fondeve kanë qenë të pavërteta.
Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon përgjegjësi institucionale dhe ligjore për ridestinimin e njëanshëm të këtyre mjeteve. Organet kompetente duhet të hetojnë vendimmarrjen, autorizimin e pagesave dhe përgjegjësinë e zyrtarëve të përfshirë.
Njëkohësisht, kërkojmë të sqarohet ndikimi që shpenzimi i këtyre fondeve jashtë destinimit ka pasur në realizimin e investimeve për ngrohjen e shkollave dhe në mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Nxënësit dhe mësimdhënësit e Prishtinës nuk duhet t’i bartin pasojat e vendimeve të gabuara financiare të qeverisjes komunale. Sigurimi i kushteve dinjitoze për mësim është detyrim institucional, jo çështje e vullnetit politik të ekzekutivit aktual të komunës