Hapet fusha e padelit për qytetarët e Prishtinës

Prishtina

Hapet fusha e padelit për qytetarët e Prishtinës

Më: 11 nëntor 2026 Në ora: 19:54
Fusha e padelit për qytetarët e Prishtinës

Prishtina ka fituar fushën e parë publike të padelit, e cila është përuruar në lagjen Bregu i Diellit dhe do të jetë e hapur falas për qytetarët.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Geci, i cili ka njoftuar se projekti synon ta bëjë këtë sport më të qasshëm për të gjithë qytetarët.

Në përurimin e fushës kanë marrë pjesë edhe nënkryetarja e Kryeqytetit, Besianë Musmurati, asamblistët Plator Gerdovci, Ilirik Musliu dhe Fjolla Vukshinaj, si dhe përfaqësues të Federatës së Padelit.

“Kjo hapësirë i dedikohet të gjithë qytetarëve tanë, veçanërisht atyre që e duan këtë sport, por që për shkak të kostove të larta nuk kanë pasur mundësi ta praktikojnë shpesh. Tashmë, në këtë fushë, padeli mund të luhet falas”, ka shkruar Geci.

Padeli është një nga sportet që ka shënuar rritje të shpejtë të interesimit edhe në Kosovë, ndërsa deri më tani praktikimi i tij ka qenë kryesisht i lidhur me fusha private dhe me pagesë.

Sipas Gecit, kjo fushë është vetëm fillimi i investimeve të Kryeqytetit në këtë sport.

“Duke parë zhvillimin e shpejtë dhe interesimin në rritje për këtë sport, do të vazhdojmë të investojmë dhe të krijojmë hapësira të reja sportive edhe në lagjet e tjera të Kryeqytetit.”

Fusha e re në Bregun e Diellit pritet t’u ofrojë mundësi qytetarëve të Prishtinës që ta provojnë dhe praktikojnë padelin pa pagesë.

“Sporti duhet të jetë i qasshëm për të gjithë”, ka qenë mesazhi i Gecit me rastin e përurimit të fushës së parë publike të padelit në kryeqytet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat