Komuna e Prishtinës është në bisedime me 3 investitorë amerikanë, të cilët kanë shprehur interesim për ndërtimin e Spitalit të Kryeqytetit.
Prishtina mbetet pa spital të përgjithshëm rajonal, ndërsa projekti për ndërtimin e një institucioni të tillë ende nuk ka nisur së realizuari, pavarësisht përfundimit të studimit të fizibilitetit dhe përcaktimit të lokacionit.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka thënë në emisionin “Shëndeti Sot” të KosovaPress se projekti është përgatitur, por realizimi i tij mbetet në pritje të miratimit nga niveli qendror.
Sipas tij, Komuna po shqyrton mundësinë e financimit përmes investitorëve amerikanë, me të cilët tashmë kanë nisur komunikimet.
“Ajo çka ka bërë kryeqyteti edhe në të kaluarën, jo vetëm tani, do të thotë që tre vite dikund, plani i fizibilitetit ka qenë i përfunduar më herët, pastaj ka kaluar në fazën e projektit, është kryer projekti është caktuar lokacioni, projekti ka mbetur në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe normalisht duhet një dhënie ose një dritë e gjelbër edhe nga ky nivel që të fillohet. Tani, kryetari i kryeqytetit normalisht, se nuk ka qëndruar duarkryq, ne e kemi kaluar edhe në kuvendin komunal lokacionin, rreth një muaj ose dy, është i përcaktuar lokacioni edhe me vendit të kuvendit komunal. Dhe në kuadër të konferencë së donatorëve, në kuadër të konferencës së investitorëve amerikan, që ka qenë që e ka organizuar kryetari i kryeqytetit, janë diku rreth tre investitor të cilët janë lajmëruar si të interesuar për të investuar në spitalin e kryeqytetit”, tha Gashi.
Gashi bëri të ditur se lokacioni për ndërtimin e spitalit është miratuar edhe nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, ndërsa kabineti i kryetarit është në komunikim të vazhdueshëm me investitorët e interesuar.
Ai shprehu shpresën se projekti do të mund të realizohet përmes këtij bashkëpunimi, pa qenë e nevojshme të pritet vetëm nga niveli qendror.
Ndërtimi i Spitalit të Kryeqytetit synon të përmirësojë qasjen në shërbimet spitalore për banorët e Prishtinës dhe qytetarët e komunave përreth. Teksti i plotë në sistemin me parapagim.