​Qytetarët do të paguajnë faturën e ngrohjes jo me metër katror, por aq sa konsumojnë

Prishtina

​Qytetarët do të paguajnë faturën e ngrohjes jo me metër katror, por aq sa konsumojnë

Më: 28 gusht 2022 Në ora: 09:09
Foto ilustrim

Mbi dy mijë prishtinas kanë hapur dyert e banesave të tyre për instalimin e pajisjeve në radiatorët e kyçjes në ngrohtoren “Termokos”. Ky është projekti i parë i cili po implementohet dhe mundëson rregullimin vetanak të temperaturave. Që nga ky sezon dimëror, qytetarët do të paguajnë faturën e ngrohjes varësisht nga konsumi, e jo nga metrat katrorë të hapësirës e cila ngrohet. Projekti “Prishtina Heat Save”, në vlerë prej më shumë se nëntë milionëve financohet nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Komunës së Prishtinës. 

Që nga muaji korrik, ekipet e autorizuara kanë filluar punën në shumë lagje të kryeqytetit. 

Për më pak se 30 minuta, para pak ditëve janë instaluar pajisjet në radiatorët që ka në banesë Ilirian Hoxha i cili është banor në lagjen “Dardania”. 

Hoxha: Sa të shpenzojmë do të paguajmë 

“Sa të shpenzojmë edhe paguajmë, do të thotë nuk mund të bëjmë dëm. Kush dëshiron të ngrohet më shumë, paguan më shumë. Kush dëshiron të ngrohet më pak, paguan më pak...

Edhe Ditare Ymeri nga lagjja “Dardania” ka mirëpritur ekipet e “Prishtina Heat Save”, për instalimin e këtyre pajisjeve falas. 

Ymeri: Do të jetë më mirë, paguaj aq sa kam shpenzuar 

“Unë po mendoj që ka qenë më mirë, se për shembull unë nuk i përdori krejt radiatorët, paguaj 64 euro. E kështu kur të vjen me matës, paguaj aq sa kam shpenzuar. Se tash ndoshta dikush nuk i ndal, unë i ndali sepse bëhet shumë nxehtë tek unë. Lartë është nxehtë, përfundi nxehtë, bëhet deri në 30 gradë Celsius. Por, tre radiatorë i ndali. Natën në dhomat e gjumit i ndali se nuk mund të fle... Për mua është mirë, është pozitive”, tregon ajo për KosovaPress. 

Specialistja për energji në MCC, Drita Desku tregon detaje të këtij projekti dhe rëndësinë e instalimit të këtyre pajisjeve në radiator. 

Desku: “Heat Save” përfshin instalimin e pajisjeve matëse 

“Projekti “Heat Save”, siç e kemi brenduar me këtë emër, përfshin instalimin e pajisjeve matëse, valvuleve termostatike, valvuleve balancuese si dhe rehabilitimit të disa pompave në stacionin në të gjithë 17 mijë e 500 klientëve të Termokos-it. Gjithashtu ky projekt, përveç që përfshin instalimin e matësve, e pajisjeve matëse e përfshin edhe integrimin e një softueri, i cili do të bëjë kalkulimin e tarifave jo përmes metrave katror, siç ka qenë deri më tani, por sipas konsumit. Ky softuer njëkohësisht është furnizuesi apo kontraktori, i cili e ka marr këtë projekt do të ekzekutojë bashkë me Termokos-in”, tregon ajo.

Sipas drejtorit ekzekutiv të Fondacionit të Mileniumit të Kosovës (MFK), Petrit Selimi kjo do t’iu mundësojë prishtinasve që të masin shpenzimet e tyre dhe të paguajnë aq sa konsumojnë. 

Selimi: Benefiti kryesor është kontrollimi i nivelit të ngrohjes dhe shpenzimeve 

“Benefiti kryesor është për konsumatorët e Termokos-it, për banorët e Prishtinës që kanë ngrohje qendrore, sepse ata me këtë projekt në të ardhmen do të mund t’i kontrollojnë nivelin e ngrohjes dhe të kontrollojnë nivelin e shpenzimeve edhe faturimit. Deri më tani, metrat katror kanë qenë ato që kanë përcaktuar çmimin, ndërsa në të ardhmen me valvulet kontrolluese, me alokatorët dhe njësinë matëse, prishtinasit që kanë ngrohje do të paguajnë aq sa përdorin”, deklaron Selimi.

Përmes këtij projekti do të krijohet edhe sistemi i kursimit me mundësi të shtrirjes së rrjetit të ngrohtores edhe në lagjet tjera. 

Desku: Deri më tani rreth 1800 alokatorë janë instaluar 

“Me instalimet, kontraktori ka filluar në muajin korrik. Deri më tani prej dy mijë apartamenteve të cilat janë hapur, rreth 1800 alukatorë janë instaluar, gjithashtu edhe valvulat termostatike, janë kryer 1800 apartamente prej këtyre 2000. Sigurisht kontraktori e ka një plan implementues që e përmenda dhe përfshin fazat e veta. Ky plan përfshin edhe distriktet e Termokos-it, kontraktori ka filluar me sugjerimet e Termokos-it, për të përfshirën Ulpianën si fillim, për tu zgjeruar në Kodrën e Diellit, paralel edhe Dardania”, tregon specialistja për energji në MCC.

Tani qytetarët kanë mundësi të përfitojnë falas instalimin e pajisjeve matëse, por jo edhe më vonë. 

Selimi: Më vonë ka gjasa që këto shpenzime t’i bart vet konsumatori 

“Projekti “Prishtina Heat Save”, i cili financohet nga MCC së bashku me Komunën e Prishtinës, synon të instalojë radiatorë në 17 mijë banesa, sistemet dhe njësoret e valvulave kontrolluese. Ne lusim qytetarët e Prishtinës që të instalojnë dhe të hapin dyert mjeshtërve të kombinuar të Termokos-it dhe kontraktuesve, t’i marrin këto pajisje gratis. Projekti do të vazhdon së paku deri sa të shpenzohet numri fillestar i valvulave. Ndërsa, më vonë ka gjasa, ka mundësi që këto shpenzime t’i bart vet konsumatori” 

Projekti në vlerë prej nëntë milionë eurove, implementohet në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe ngrohtores “Termokos”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat