Shoqata e Psikologëve të Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e Psikologëve të Shqipërisë, kanë organizuar edicionin e shtatë të Kongresit Ndërkombëtar me temën “Shëndeti mendor, sfidat dhe e ardhmja”. Ky kongres synon të adresojë sfidat e kohës moderne, ritmin e shpejtuar të jetës dhe ndikimin e tyre në mirëqenien mendore e emocionale të shoqërisë.
Sot përgjatë ditës së dytë të punimeve u prezantuan hulumtime të ndryshme shkencore nga psikologë vendas e të huaj, me mbi 300 pjesëmarrës fizik dhe në platformën online.
Kryetari i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, Ilir Havolli u shpreh se aktivitete si kongresi janë shumë të rëndësishme për profesionistët e fushës së psikologjisë.
Havolli: Shëndeti mendor e determinon edhe mirëqenien e individit
“Shoqata e Psikologëve të Kosovës që nga themelimi ka filluar me organizimin e aktiviteteve të ndryshme ku ndër ato janë edhe kongreset ndërkombëtare me temën shëndeti mendor, sfida dhe e ardhmja. Këtë radhë është edicioni i shtatë. Kjo ndikon në mënyrë shumë pozitive të pjesëmarrësit, poashtu edhe tek ata që na ndjekin në dy platforma, qoftë fizikisht apo online sepse kjo i ndihmon ata që të ndërgjegjësohen dhe të vetëdijesohen për rëndësinë e shëndetit mendor duke pasur parasysh se shëndeti mendor e determinon edhe mirëqenien e individit dhe poashtu dhe shëndetin fizik.”, tha ai
Kurse, profesoresha e psikologjisë, Jonida Haxhiu e cila njëkohësisht edhe prezantoi një hulumtim, u shpreh se kongresi është një mundësi e mirë për të rinjtë që duan të merren me psikologji, duke iu mundësuar atyre një integrim më të lehtë në rrjetin e profesionistëve.
Haxhiu: Kongresi po u jep mundësinë jo vetëm profesionistëve por edhe profesionistëve të rinj
“Patjetër që aktivitete të tilla janë shumë të rëndësishme për cilin do profesionist dhe sigurisht që kur bëhet fjalë për të rinjtë, kur bëhet fjalë për brezin e ri, kur bëhet fjalë për ata të cilët e kanë më të vështirë integrimin në këto rrjete profesionale, sigurisht që pjesëmarrja në aktivitete të tilla është shpesh herë edhe një sfidë. Unë falënderoj shumë Shoqatën e Psikologëve të Kosovës dhe Shoqatën e Psikologëve të Shqipërisë dhe konkretisht zotërinë Ilir Havolli i cili po u jep mundësinë jo vetëm profesionistëve tashmë të konfirmuar në profesionin e tyre të psikologut por pse jo edhe profesionistëve të rinj dhe studentëve që në një farë mënyre në aktivitete të tilla të promovojnë punën e tyre, të tentojnë të sjellin diçka që pse jo t’i përfshijë ata në aktivitete të profesionistëve dhe t’i promovojë ata në mesin e profesionistëve.”, tha ajo
Në anën tjetër, Musa Musai, zëvendësdekani i departamentit të psikologjisë në Universitetin e Tetovës, tha se shtetet e rajonit janë të reja në studimet psikologjike dhe se çdo risi që sillet përmes kongreseve të tilla është një mundësi e re për të gjithë.
Musai: Çdo gjë e re që sjellim është një mundësi e gjetjes së një dritareje
“Pajtohemi të gjithë, ne qoftë në Shqipëri, në Maqedoni ose Kosovë jemi të rinj në studimet psikologjike dhe për atë arsye çdo gjë e re që sjellim, çdo aktivitet që është në fushën profesionale të tyre, pa mëdyshje që është një mundësi e gjetjes së një dritareje, një këndvështrim tjetër, një problematike me trajtim qoftë në fushën e eksperimentit, qoftë në fushën e hulumtimeve ne që iu themi sasiore ose cilësore, si të tilla, pa mëdyshje që këto përvoja apo këto mundësi që iu jepen edhe studiueseve të rinj, edhe studentëve, edhe atyre që janë në shëndetin mendor publik edhe ata që ndoshta kanë një angazhim të ndërthurur me shkollat, me institucione të ndryshme apo me institucione korrektuese, edukative në të gjitha fushat, mendoj se përmbajtja e vetë tematikave që janë trajtuar gjatë dy ditëve këtu në Prishtinë nuk do mend se më vete bartin elemente të mundësisë, të përfitimit të secilit.”, tha ai.
Koordinatori i kongresit, Erblin Havolli, nënvizoi rëndësinë e shëndetit mendor dhe vetëdijesimit për këtë temë, duke theksuar se secili ka nevojë për një konsultë nga një psikolog.
Havolli: Secili nga ne ka nevojë për ndonjë psikolog
“Pa dyshim që kongresi dhe çdo aktivitet që bëhet për të mirën e shëndetit mendor i ndihmon në ngritjen e standardit të profesionistëve shëndetësor sepse sa më shumë vetëdijesohen popullata për shëndetin mendor, do ta kuptojnë se nuk do të thotë se të konsultohesh me një psikolog ke ndonjë çrregullim të madh emocional ose që është diçka tragjike sepse secili nga ne ka nevojë për ndonjë psikolog për t’u konsultuar edhe për çështje të thjeshta.”, tha ai .
Punimet e kongresit do të vazhdojnë gjatë ditës së sotme.