Përparim Rama: Kam ftuar Prokurorinë të mos bie pre e politikës

Prishtina

Përparim Rama: Kam ftuar Prokurorinë të mos bie pre e politikës

Më: 5 nëntor 2026 Në ora: 12:36
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, deklaroi sot se i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që të mos bie pre e politikës.

Rama theksoi se të gjitha palët kryejnë punët e veta e që Prokuroria duhet të hetojë nëse po respektohen ligjet në këto projekte madhore.

Ai përmendi faktin se në këto projekte po i pengon edhe niveli qendror, duke marrë shembull punimet në sheshin “Xhorxh Bush” në kryeqytet.

Rama: Prokuroria të mos bie pre e politikës

“Ne bëjmë punët e kryeqytetit, puna jonë është me e zhvillu kryeqytetin, puna e Prokurorisë është me pa se a po mbrohen të gjitha ligjet dhe të gjithë kryejmë punët tona. Unë vetëm kam bërë ftesë ndaj prokurorisë që mos me ra pre e politikës sepse kemi zhvillimin e projekteve madhore, e kemi projektin e Xhorxh Bush, e dimë se çfarë sfidash kemi pasur me nivelin qendror. Janë mundu me na blloku në formë jo ligjore, na i kanë humbë një vit e gjysmë ose dy. Deri sot tërë këtë hapësirë do ta kishim pasur të hapur për qytetarët, pra nuk jemi duke bërë asgjë jashtë ligjit. Përkundrazi, jemi duke e luftuar një pushtet që në mënyrë të paligjshme na pengon t’i kryejmë punët tona”, tha ai gjatë lansimit të NOËL 2026.

Përparim Rama më 30 tetor u mor në pyetje nga Prokuroria Speciale në lidhje me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit” në cilësinë e të pandehurit pasi dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Rama, pas marrjes në pyetje, tha se i takon Prokurorisë të hetojë nëse ka diçka të paligjshme te projekti 12 milionësh.

Rama: Kam kërkuar vazhdimisht bashkëpunim me Prokurorinë për këtë çështje

“Unë kam kërkuar vazhdimisht bashkëpunim me Prokurorinë për këtë çështje, por edhe të tjera. Prandaj kam ardhur, përkundër faktit që disa si kryeministri që nuk shkojnë, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Prokurorinë, sepse kështu zhvillohet shteti demokratik. Puna ime është zhvillimi i kryeqytetit, puna e Prokurorisë është të dijë që çdo gjë po bëhet në bazë të legjislacionit”, tha Rama.

Kujtojmë, Projekti Arkitekti i Kryeqytetit është një nismë e Komunës së Prishtinës për zhvillimin e dhjetëra projekteve urbane në Prishtinë si projekte për sheshin, nënkalimet etj. Kryetari Rama ka hedhur poshtë akuzat duke theksuar se projekti ka kaluar të gjitha filtrat e nevojshëm ligjorë. Hetimet lidhur me këtë rast vijojnë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat