Rama: Ka nisur alokimi i 25 milionë eurove për Kryeqytetin, pagesat po procesohen

Prishtina

Rama: Ka nisur alokimi i 25 milionë eurove për Kryeqytetin, pagesat po procesohen

Më: 2 dhjetor 2025 Në ora: 19:04
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Ministria e Financave ka filluar alokimin e pjesshëm të mjeteve financiare në vlerë prej 25 milionë eurosh, të cilat i takojnë bartjes buxhetore të vitit 2024.

Sipas Ramës, ky është një zhvillim i rëndësishëm si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët e Kryeqytetit, të cilët kanë pritur për zhbllokimin e fondeve.

“Lajm i mirë për qytetarët dhe punëtorët e Kryeqytetit: Më në fund ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve financiare prej 25 milion euro nga bartja e vitit 2024 nga Ministria e Financave drejt Kryeqytetit. Drejtoria e Financave e Kryeqytetit do të vazhdojë punën sot, jashtë orarit të rregullt të punës, me qëllim të procesimit sa më të shpejtë të pagesave.

Në përputhje me dinamikën e alokimit të mjeteve nga Ministria, ne si komunë do të vazhdojmë me procesimin e pagesave në mënyrë të vazhdueshme dhe të rregullt. Presim që sa më shpejtë të përfundojë alokimi i plotë i shumës prej 25 milionë eurosh nga Ministria. Falënderojmë qytetarët dhe punëtorët për mirëkuptimin, durimin dhe bashkëpunimin!”, ka shkruar Rama.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat