Skualifikohet oferta e vetme për ndërtimin e Milot-Fier / Kompania kërkoi 8 vjet për përfundimin e projektit

Shqipëria

Skualifikohet oferta e vetme për ndërtimin e Milot-Fier / Kompania kërkoi 8 vjet për përfundimin e projektit

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 16:54
Ilustrim

Tenderi për ndërtimin dhe rehabilitimin e autostradës Milot-Fier ka përfunduar, por pa rezultuar me një fitues.

Burime zyrtare për televizionin Klan kanë konfirmuar se në garë ka patur vetëm një ofertë, e cila është skualifikuar për shkak se nuk ka qenë në përputhje me standardet kryesore të vendosura në procedurën e prokurimit.

Kompania e cila është ofruar për të ndërtuar 115 kilometrat e këtij segmenti ka dhënë një ofertë financiare për vendosjen e tarifës 0.62 euro për kilometër, më të ulët se baza prej 0.75 euro e vendosur në dokumentet e tenderit, por ka kërkuar afat më të gjatë për përfundimin e punimeve.

Qeveria shqiptare kërkonte që i gjithë projekti për ndërtimin e 53 kilometrave të rinj nga Miloti në Lekaj, dhe rehabilitimi i 62 të tjerë nga Lushnja në Fier, bashkë me ndërtimin e rrugëve alternative, të mbyllej brenda 5 vjetësh, ndërsa shoqëria ofertuese ka kërkuar një afat prej 8 vjetësh.

Burimet kanë konfirmuar se gara do të rihapet për t’u dhënë mundësi të shprehin interes edhe firma të tjera ndërkombëtare. I gjithë ky projekt do të kushtonte 1.18 miliard euro të cilat do të investoheshin nga kompania që do të merrte koncesionin dhe do të vilte të ardhura nga tarifa e rrugës që do të shfrytëzonte për 35 vjet, të cilat mund të arrinin për gjithë vitet në 4.1 miliard euro.

Me të njëjtën formulë qeveria po përgatitet për të hapur garën edhe të pjesës veriore të Korridorit Blu Milot–Muriqan me gjatësi 57 kilometra dhe aksit tjetër Fier–Kakavijë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat