Avokatja, Adriana Kalaja: Deri tani, rreth 600 raste të protestuesve të ndaluar janë dërguar për gjykim

Shqipëria

Avokatja, Adriana Kalaja: Deri tani, rreth 600 raste të protestuesve të ndaluar janë dërguar për gjykim

Nga: Adriana Kalaja Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 20:56
Adriana Kalaja

Pas një periudhe prej 175 ditësh protestash, avokatja  Adriana Kalaja gjatë intervistës për Ora News ka hedhur akuza të rënda ndaj policisë së shtetit dhe qeverisë, duke e cilësuar reagimin e tyre ndaj qytetarëve si antikushtetues.

Sipas Kalasë, protesta e nisur më 31 maj ka qenë kryesisht e qetë, por dhuna u përshkallëzua pas datës 13 tetor, ku policia akuzohet se provokoi qëllimisht studentët për të shuar revoltën. Kalaja theksoi se reagimi policor, i cili përfshiu forcat Renea dhe Shqiponja, ishte joproporcional dhe në kundërshtim me ligjin.

Ajo bëri të ditur se mbrojtja ligjore e ofruar pa pagesë ka mbuluar rreth 600 raste të protestuesve të ndaluar. Sipas saj, Gjykata e Apelit ka shpallur të paligjshme arrestet në 90% të rasteve, duke konfirmuar pretendimet e mbrojtjes për falsifikim dhe manipulim të raporteve të shërbimit nga ana e policisë.

Përveç kritikave ndaj forcave të rendit, Kalaja lëshoi akuza të forta edhe ndaj figurave të larta të mazhorancës, duke përmendur lidhjet e dyshuara me krimin e organizuar dhe manipulimin e zgjedhjeve.

Ajo vuri në dukje se suksesi në Gjykatën e Apelit u jep atyre legjitimitetin për të depozituar kallëzime penale ndaj punonjësve të policisë që kanë shpërdoruar detyrën. Në këtë kuadër, u theksua se në rreth 100 raste, vetë prokurorët kanë shpallur arrestet si të paligjshme përpara se çështjet të kalonin në gjykatë.

Pjesë nga biseda në studio:

Zonja Kalaja, si ju është dukur ajo se çfarë i ka ndodhur me protestën gjatë gjithë kësaj periudhe, nëse do të referohemi në aspektin e 175 ditëve, duke marrë kështu shkas nga dita e parë kur kanë nisur protestat në 31 maj, ose edhe nga data 13 tetor, nga ku janë shoqëruar në pjesën më të madhe të rasteve javët e fundit edhe me përplasje mes protestuesve dhe policisë? Si i shihni ju? 

Adriana Kalaja: Në fakt që nga 31 maji protesta ka qenë shumë e qetë. Ka pasur shumë pak momente konflikti dhe këto në fakt datojnë me datën 9 shtator kur filloi dhe parlamenti. Dhe nëse i referohemi atyre ditëve të shtatorit, konflikti ka qenë gjithmonë në momentet e reagimit të qytetarëve në datat e seancave të parlamentit, qoftë fillimisht me vezë edhe me një konflikt në fakt jo proporcional në raport me reagimin policor.

Se tek e fundit vezë kanë gjuajtur, kanë shprehur reagim dhe në fakt gjithë periudha e verës është shoqëruar edhe me një formë reagimi jo korrekt nga ana e kryeministrit.

Në fakt nuk duhet t'i japim vlera duke e quajtur kryeministër, për mua ai është një bandit që vazhdon të mbajë pushtetin nëpërmjet organizatës kriminale që drejton, por sidomos bazuar kjo në lidhjet e forta me krimin e organizuar, me bandat, me kartelet e drogës, me paratë e pista dhe më e pakta është që të bësh këtë konkluzion duke u referuar akuzave të rënda që po shoqërojnë jo vetëm Ergys Agasin por edhe Vlora Hysenin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat