Ligji mbi Meterologjinë/ Vasili: Parlamenti është mbledhur të rrëzojë përtokë interesat e shqiptarëve, faktet ulërijnë ndërsa SPAK mbyll sytë

Shqipëria

Ligji mbi Meterologjinë/ Vasili: Parlamenti është mbledhur të rrëzojë përtokë interesat e shqiptarëve, faktet ulërijnë ndërsa SPAK mbyll sytë

Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 16:09
Petrit Vasili

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili shprehet se Parlamenti është rreshtuar haptazi në krah të grabitjes së pronës publike dhe të interesave të qytetarëve. Duke folur mbi ligjin për Meterologjinë të kthyer në Kuvend nga presidenti Meta, Vasili tha “Ky Parlament është mbledhur që ta rrezojë këtë dekret dhe është mbledhur të rrëzojë përtokë interesat e përditshme të shqiptarëve”.

“Faktet janë aty dhe ulërijnë, ndërsa SPAK vetëm mbyll sytë, apo merret me ca vepra minore, që ashtu si ato kanaçet përpiqet t’i përplasë sa më fort që të bëjnë një zhurmë sa më të madhe”, thekson nënkryetari i LSI.

Deklarata për mediat e Nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili

Parlamenti i rreshtuar haptazi në krah të grabitjes së pronës publike dhe të interesave të qytetarëve është mbledhur sërish për të rrëzuar dekretin e Presidentit të Republikës, i cili ka kthyer si antikushtetues dhe në cenim shumë të rëndë të interesave të publikut, por njëkohësisht edhe si një veprimtari qartësisht korruptive parlamentare-qeveritare, ligjin për Metrologjinë.

Ky Parlament është mbledhur që ta rrezojë këtë dekret dhe është mbledhur të rrëzojë përtokë interesat e përditshme të shqiptarëve. Them interesat e përditshme të shqiptarëve, sepse ligji për Metrologjinë ka të bëjë me kontrollin e instrumenteve matës, e për çdo qytetar që na ndjek nga shtëpia, do të thotë kontrollin e atyre instrumenteve, të cilët vjedhin në mënyrë të përditshme xhepat e shqiptarëve. Që nga peshorja për çdo produkt, që nga pompa e karburantit dhe mjaft elementë të tjerë, ku ashtu në mënyrë të vazhdueshme, të padukshme, vidhen në çdo sekondë shqiptarët, e ku kontrolli shtetëror mbi këto instrumente matëse nga ana e shtetit duhet të ishte më i forti, më i rrepti, duhet të ishte shembulli sesi shteti vigjilon mbi interesin financiar të shqiptarit, i cili që nga ai më i varfri, që i ka paratë e numëruara, që jeton me ndihmë ekonomike apo me një pagë të vogël, me të cilën mban disa anëtarë të familjes, e deri tek ata që kanë të ardhura më të mëdha.  Pra, do të ishte barriera e një vjedhjeje sistematike dhe jo më lënia azat dhe pa kontroll i këtyre interesave.

Ky ligj është i 35-ti ligj antikushtetues që ka të bëjë me problemet ekonomike. Ligjet antikushtetuese janë shumë më tepër se kaq, por 35 prej tyre ku spikatin ligji për Dividendin ku vjedhja dhe vënia në dispozicion të oligarkëve ishte evidente, e deri këtu ku vidhet xhepi i çdo shqiptari. Është shumë e qartë që një shërbim publik si ky, që duhet të ishte në duart e shtetit, të një kontrolli shumë të fortë dhe serioz, kryhet nga subjektet private pa procedura, pa përcaktimet e qarta ligjore, duke mbyllur me vetëdije çdo hapësirë për kontrollin dhe monitorimin e tyre. Pra për t’ia lënë atyre azat e për të vepruar siç duan, boll e boll të jetë kjo si një qirasi shtetërore që u bëhet privatëve, e që këta ua kthejnë përsëri këtyre qeveritarëve, në mënyrat e tyre të dukshme e të padukshme, por gjithsesi në xhepin e të dyja palëve.

Pasi duhet të jemi shumë të qartë, që 14 hajdutët e qeverisë, kanë gjetur edhe mbështetësit e tyre të verbër, por jo gratis, nga 100 e ca të tjerë atje në Parlament që ligjërojnë, pavarësisht nga ndonjë fjalim këllirë i ndokujt prej tyre, gjoja sikur po punojnë për shqiptarët. Është fare e qartë që edhe në këtë ligj çdo princip ligjor e kushtetues, qoftë nga konkurrenca e lirë, qoftë nga gara e ndershme dhe transparente e të tjera, nuk ekzistojnë dhe janë cenuar në mënyrë flagrante. Është e qartë dhe duhet ta dinë të gjithë që mbikëqyrja e tregut dhe inspektimi metrologjik janë funksione shtetërore që garantojnë saktësinë e instrumenteve matëse. Lënia në dorë të subjekteve private në mënyrë të pakontrolluar cenon direkt këtë funksion shumë të rëndësishëm jetik e publik, i cili në mënyrë të pashmangshme sjell hapësira për abuzime dhe dëmtimin e drejtpërdrejtë të interesit të qytetarëve.

Mënyra sesi është ndërtuar i gjithë ligji shmang tërësisht përgjegjësinë për monitorimin e subjektit, e cila i është lënë vetë subjektit, pra i cili është vetë Ali e vetë Kadi. Dhe ju e kuptoni fare mirë sesa një subjekt privat është i interesuar që të kontrollojë veten e tij, kur shteti vetë nuk ka qenë në lartësinë e detyrës. Mendoni se çfarë situate kaotike, konfuzioni, në dëm të qytetarëve, por në interes të xhepit të atyre që janë përfitues. Përmes këtij ligji një shërbim shtetëror jetik, pa asnjë konkurrim, pa kritere ligjore, pa asnjë studim fizibiliteti, pa asnjë studim ekonomik, pa asnjë studim social e mjedisor, vetëm me një vendim të një drejtori rilindas, mund t’i jepet lehtësisht për autorizim një privati. Pra do të thotë, interesat e qindra mijëra shqiptarëve i ka një drejtor, i cili i interpreton si të dojë, pa ligj e pa kritere, apo me ca kritere që u bien përsipër e nuk janë konkrete, ja jep atij klientit që është klient qeverie, e kënaq e gëzon, e të gjithë kostot bien mbi xhepin e shqiptarëve, që dhe kështu po plaçkiten jo pak.

Dhënia me koncesion të një subjekti privat dhe në mënyrë të pakontrolluar të një shërbimi shtetëror e dëmton qartë interesin publik, cenon interesat e shtetit dhe të konsumatorëve, por cenon dhe financat publike, dhe krijon një shteg shumë të qartë dhe të hapur për abuzim me të drejtat e konsumatorit. E për më tepër prodhon kosto shtesë për një shërbim që do të kryhej nga shteti. Pra shqiptarët nuk kanë taksirat të paguajnë para të tjera, që edhe do të vidhen. Një dyfish maskarallëk në dispozicion të tyre.

Ligji njëherazi është qartësisht antikushtetues. Ky ligj ka cenuar dhe ka goditur në mënyrë të drejtpërdrejtë nenin 11 të Kushtetutës, nenin 18/1 të Kushtetutës, nenin 17/1 të Kushtetutës. “Neni 11 që përcakton qartë që kufizimet e lirisë ekonomike bazohen në pronën private dhe prona publike mbrohet njëlloj me ligj. Kufizime mund të vendosen vetëm me ligj për arsye tepër të rëndësishme.” Cila është arsyeja tepër e rëndësishme? Që shteti do të bëjë dhurata për një grup njerëzish dhe një grup oligarkësh, apo klientësh të tij? Ky është interesi? Neni 18/1: Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Asnjë lloj barazie nuk garanton ky, por vetëm një abuzivizëm që të përfitojnë disa, pra një ligj i qepur si kostum me porosi, për ata që janë porositësit e ligjit. Dhe njëkohësisht të gjithë rregullimet e të drejtat ligjore të njeriut si parimi i ekonomisë së tregut e të tjera, që përcaktohen në nenin 17/1 as nuk janë marrë fare në konsideratë.

Por më e rëndësishmja, kjo veprimtari abuzive, ky pazar që lëviz qeveri-Kuvend, 14 në qeveri e 100 e ca të tjerë, bashkëpunëtorë, miratues e përfitues atje në Parlament, pra një hajdutëri kolektive ku secili zhvat sa të jetë e mundur më shumë e viktima është vetëm qytetari, ka shqetësuar e ngritur në këmbë organizatën shumë të njohur ndërkombëtare që ndjek hap pas hap korrupsionin, Transparency International.

Çfarë thotë Transparency International? Ndikim për këtë situatë, pa pasur Parlamenti Shqiptar, këtij palaço Parlamenti Shqiptar, i cili është mashë në hajdutëritë e qeverisë. Me një kontroll të fortë qeveritar thotë Transparency International dhe Parlament të dobët sigurohet marrja e vendimeve për të dobësuar kontrollin e pushteteve dhe hapin rrugën e miratimit të ligjeve të porositura nga një grup i vogël njerëzish. E pra Transparency International ka konkluduar qartë e me fakte të pakundërshtueshme, se ligjet janë të porositura nga një grup i vogël njerëzish.

Por SPAK në Shqipëri çfarë bën? Është shqetësuar Transparency International, nuk është i shqetësuar SPAK. Nuk ka asnjë preokupim, që interesi publik cenohet në sytë e tij. Për çfarë u ngrit ky instrument, ky SPAK i famshëm? Për të goditur pikërisht atë veprimtari që bie ndesh me interesat e publikut dhe që ushtrohet nga subjektet më të larta shtetërisht të shtetit shqiptar, siç janë qeveria e Parlamenti. Faktet janë aty dhe ulërijnë, ndërsa SPAK vetëm mbyll sytë, apo merret me ca vepra minore, që ashtu si ato kanaçet përpiqet t’i përplasë sa më fort që të bëjnë një zhurmë sa më të madhe. Por mbetet fakti, që çështjeve të mëdha që kanë të bëjnë me qeverinë, me Parlamentin, u bën anash. Në këtë mënyrë kjo është një bashkëfajësi e madhe dhe asnjë alibi e SPAK-ut, alibi e thënë në shqip apo alibi e thënë në anglisht, as nuk e çliron nga përgjegjësia, as nuk e çliron nga faji i rëndë që mbyll sytë sesi mijëra qytetarë shqiptarë plaçkiten nga mëngjesi deri në darkë, sesi Kushtetuta dhunohet për të 35 herë për çështje ekonomike, e për të 50 e ca herë për çështje të tjera.

Një SPAK që bën një funksion të tillë, pra që bën sikur me vepra minore dhe u largohet çështjeve të mëdha e të dhimbshme, të cilët dëmtojnë interesin e shqiptarëve, dëmtojnë integritetin e votës së tyre, dëmtojnë jetën dhe shëndetin e tyre, ashtu sikur mbyll sytë përpara çështjeve të pandemisë dhe nuk heton, është një SPAK që në të kundërt të asaj së cilës u ndërtua, është një mekanizëm negativ që nuk ngjall shpresë, por përkundrazi dekurajim, ditët janë përpara, SPAK fito kohen sepse faktet ulërijnë atje në mes të ditës dhe shqiptari më i fundit i njeh. Ai shqiptari do të vidhet te pompa e benzinës apo ai që do të vidhet te kandari i dyqanit. Është koha për reflektim!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat