Kufiri mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të funksionojë përmes një sistemi të ri të integruar kontrolli, me një ndalesë të vetme, duke përshpejtuar lëvizjen e qytetarëve dhe mjeteve të transportit mes dy vendeve.
Në ceremoninë e përurimit të sistemit “One Stop Shop” ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Kryeministri Rama tha se sistemi është një transformim që do t’u vlejë miliona njerëzve që kalojnë në pikën kufitare të Qafë Thanës.
Rama u shpreh se “do të vazhdojmë me pikat e tjera për të njëjtin sistem”.
“Deri tani në këtë doganë ishim kontrollo-kontrollo. Tani jemi beso-kontrollo. Hapi tjetër është beso-beso që të mos kemi më asnjë kontroll këtu në rrugëtimin tonë të përbashkët për t’u bërë pjesë e Europës pa kontrolle në kufijtë mes nesh”, theksoi Rama.
Rama u shpreh se “dua ta përforcoj Kryeministrin maqedonas që jemi në një proces bashkëpunimi, ku kemi shumë gjëra që duhet t’i bëjmë së bashku. Pa diskutim, njëra ndër to është të çojmë para Korridorin 8”.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha se “është kënaqësi që po bëjmë këtë bashkëpunim për një pikë kontrolli të vetme që lehtëson lëvizjen e njerëzve. Duhet të përforcojmë bashkëpunimin edhe në pikat e tjera kufitare”.
Sistemi “One Stop Shop” synon të shkurtojë kohën e pritjes dhe të lehtësojë qarkullimin e udhëtarëve dhe mallrave mes dy vendeve.