U dhunua nga 5 policë, rrëfimi i shqiptaro-amerikanit: Më futën në një dhomë pa kamera…

Shqipëria

U dhunua nga 5 policë, rrëfimi i shqiptaro-amerikanit: Më futën në një dhomë pa kamera…

Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 17:27
Erald Alimehmeti

Keqtrajtimi barbar në polici, i një shtetasi shqiptaro-amerikan, është bërë shkak i nisjes së hetimeve nga prokuroria e Tiranës dhe oficerët e Policisë së Shërbimit të Çështjeve dhe Ankesave në ministri.

“Oranews” mëson se në hetim janë vënë punonjësit e policisë A.V, L.B, E.Zh, Z.L dhe SH.H.

Ndërkohë personi që është dhunuar quhet Erald Alimehmeti, 29-vjeç me shtetësi shqiptaro-amerikane.

Alimehmeti, është ndaluar për shkak të mosmbajtjes së maskës, por pasi ka kundërshtuar punonjësit e policisë duke refuzuar shoqërimin, i ka thënë atyre “…do tju vras, ju nuk më njihni se kush jam, do ju ther…”.

Por policët e kanë shoqëruar me forcë në ambjentet e komisariatit duke mos kursyer as dhunën fizike.

Fillimisht Erald Alimehmeti është rrahur brenda në automjetin e Policisë dhe më pas e kanë futur në një dhomë pa kamera ku është rrahur sërisht.

“…isha me çunat e lagjes. Unë sa u ndava nga ata me erdhën disa civila, më duket ishte antidroga. Erdhën më kapën prej krahu dhe nuk më thanë jemi policia. Më thanë mbylle gojën dhe kur i pyeta se kush ishin thanë policia. Unë s’e dija që ishin policia, kartën e policisë e nxorën vetëm pasi ja kërkova unë. Kërkuan mjet identifikimi, ja dhashë pasaportën amerikane dhe policët me tha ti hapja xhepat dhe ja hapa. Më kontrolluan dhe çantën dhe s’kisha asgjë. Nga momenti i arrestimit, unë kam qënë në izolim gjithë kohës dhe procesverbalin që e kanë bërë, e kanë kryer pa prezencën time. Pasi i thashë pasaportën më thanë të shkoj në komisariat. Aty erdhi shefi i tyre dhe më pyeti se çfarë ke dhe ofendova njërin nga policët. Me vendosën prangat dhe më fusin në makinë. Kur u futa në makinë, polici që ofendova gjatë momentit të ndalimit me tha “…kë shave ti…?”.

 Unë isha i prangosur, nuk i kam goditur, por më kanë goditur ata mua.Në komisariat me kanë futur në një dhomë që nuk kishte kamera, jo aty ku ishin të ndaluarit e tjerë. Më futën në dhomë dhe nuk mi hoqën prangat dhe aty më kanë goditur të gjithë policët që më shoqëruan.

I kam thënë disa herë që të lajmëroja konsullatën amerikane, që të njoftoja nënën time që është në Amerikë. Unë nuk kam goditur njeri, pasi kam qënë i prangosur…”.

Praninë e dhunës fizike e ka konstatuar dhe gjyqtari Kreshnik Omari dhe prokurori i çështjes, të cilët zhvilluan masën e sigurisë për shqiptaro-amerikanin.

Gjyqtari Omari kërkoi nisjen e hetimeve për punonjësit e policisë që kishin dhunuar rëndë Erald Alimehmetin.

Njëherazi qjyqtari kërkoi kryerjen e ekpertimit mjeko-ligjor për shqiptaro-amerikanin, ku rezultoi se ai kishte hematoma të shumta në fytyrë, dëmtim të indeve dhe dremishtje të shumta.

Menjëherë pas këtij konstatimi, prokuroria e Tiranës i ka kërkuar SHÇBA të nisë hetimet për punonjësit e policisë A.V, L.B, E.ZH, Z.L dhe SH.H, të cilët dyshohet të jenë personat përgjegjës për dhunimin e Erald Alimehmetin.

Avokatia e Alimehmetit, Elisabeta Ferizaj tha në gjykatë se “…pavarësisht se policët kanë qënë në fuqinë e ligjit, ata kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe e tregon fakti që Alimehmeti është dëmtuar rëndë…”.

Sipas avokates, ky është një veprim arbitrar i Policisë së Shtetit, dhe se nga ana e saj do kërkoheshin kamerat e rrugës që të kontrollohen veprimet arbitrare jo vetëm për klientin e saj Erald Alimehmeti por edhe për çdo qytetar tjetër që rrihet nga punonjësit e policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat