Stroni: Piku i Covid-19 ishte nëntori, rrisni trajtimin financiar për mjekët e familjes dhe rrethe

Shqipëria

Stroni: Piku i Covid-19 ishte nëntori, rrisni trajtimin financiar për mjekët e familjes dhe rrethe

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 17:10
Gent Stroni

Prej ditësh në spitalet COVID vihet re një ulje e numrit të pacientëve të cilët kanë nevojë për ndihmë mjekësore. Mjeku infeksionist Gent Stroni thotë se java e dytë e dhjetorit ka sjellë ulje të rasteve rrjedhimisht dhe numri i shtrimeve ka pësuar rënie. Ai mendon se piku ka qenë mesi i muajit nëntor.

“Fatmirësisht ne kemi këtë lloj realiteti, që kemi një ulje të rasteve të zbuluara, por jo vetëm, edhe rastet që janë në spitale janë më të pakët se gjatë nëntorit, ndoshta kjo vjen si pasojë e saturimit të numrave, ose deri në një farë mase kalimit të pikut të famshëm.

Kjo kërkon një analizë epidemiologjike. Rënia e këtyre numrave nuk duhet të na ulë vigjilencën, që të themi kaloi cdo gjë, jo, jemi akoma në mes të rrugës, dhe jam i bindur që do të kemi rrugë të gjatë për të bërë së bashku me covidin”.

“Dhënia e oksigjenit është e rrezikshme në shtëpi. Kjo është e padiskutueshme, ekzistojnë deri aparatura që prodhojnë deri në 5 litra oksigjen, deri këtu, jemi deri në një farë mase të mbrojtur, kalimi me 2 apo 3 burime është e papranueshme dhe e rrezikshme, nuk do të mundet të kthehet në reanimacion një shtëpi” tha ai.

Si kryetar i sindikatës së mjekëve, Stroni kërkon që edhe të familjes të trajtohen financiarisht, pasi po bëjnë një punë të madhe në trajtimin e pacientëve e prekur me COVID 19.

“Trajtimi është shumëplanësh, duke përfshirë nga mënyra e mbrojtjes së tyre, ngritja profesionale përmes disa trajtimeve që duhet të bëjnë, por edhe trajtimi financiar, që është logjike që një person që në këtë luftë po gjendet me vështirësi edhe për ta bërë punën si duhet edhe me riskun për jetën, pjesa financiare duhet të trajtohet patjetër” tha ai.

Të njëjtën kërkesë Stroni ka edhe për mjekët e spitaleve rajonale, ku një pjesë e të cilëve kanë nisur të trajtojnë pacientët e prekur me COVID 19. Aktualisht qeveria po trajton me bonus vetëm stafin mjekësor në spitalet COVID, duke lënë në harresë kategoritë e tjera të përfshira në këtë pandemi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat