Skandal në Sarandë/ Grabitet lulishtja prej 1200 metrash në pronësi të bashkisë

Shqipëria

Skandal në Sarandë/ Grabitet lulishtja prej 1200 metrash në pronësi të bashkisë

Më: 25 dhjetor 2020 Në ora: 17:15
Foto Ilustrim

Skandal me pronat publike në bregdetin e Sarandës. Sipërfaqe toke në pronësi të bashkisë po grabiten me anë të dokumenteve të falsifikuara nga privati.

Persona të ndryshëm kanë paraqitur pranë organeve vendore të shtetit, dokumente, të cilat nuk ekzistojnë në bashki apo në ndonjë institucion tjetër. I gjithë qëllimi është përvetësimi i kësaj lulishteje prej 1200 metrash katrorë, e cila ndodhet në bregun e detit.

Tre qytetarë të Sarandës kanë bërë një denoncim në ABC ku faktojnë atë çfarë po ndodh me pronën e bashkisë e cila sipas planit urbanistik, është lulishte dhe do t’u shërbeje qytetarëve dhe turistëve.

Ata thonë se dy persona e kanë përvetësuar me anë të dokumenteve të falsifikuara duke përdorur vendimin e këshillit të ministrave të 22 majit 2019. Kjo VKM nga ana e kryetarit të bashkisë së qytetit Adrian Gurma u paraqit si sukses dhe do t’i jepej zgjidhje problemit të regjistrimit të pronave të përfituara nga qytetarët me ndarjen që kishin bërë këshilli bashkiak.

Kjo pronë ndodhet në lagjen 1 të qytetit në rrugën Turizëm-kanili i Cukës, në bllokun H-6.

Në tokën që ndodhet  në bregun e detit dhe aktualisht pas denoncimeve të tre qytetarëve në pronë nuk është duke u punuar pasi ka statusin e kufizuar nga ana e kadastrës.

Ankesat dhe kallëzimet e bëra në prokurori dhe institucione të tjera nga tre qytetarët kanë frenuar ndërtimin për momentin në këtë tokë, por rreziku që ajo të shkatërrohet është prezent.

Ndërsa në këtë situatë është i pashpjegueshëm mosreagimi i disa institucioneve ku përfshihet bashkia, kadastra dhe prokuroria e qytetit. Por fakt është që bashkia në këtë rast nuk ka arritur të mbrojë pronën e saj për mos të folur më pas për pronat private.

ABC do ta ndjekë këtë çështje dhe do të bëjë publike dokumente të cilat faktojnë falsifikime njëri pas tjetrit me qëllim grabitjen e pronës e publike. Aty janë të përfshirë noterë e persona të tjerë, ndërsa institucionet fshihen pas procedurave dhe afateve duke i hapur rrugë kështu një skandali i cili qëllimin e vetëm ka grabitjen e pronës publike. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat