SPAK çon në Gjykatë dy të akuzuar për atentatin ndaj prokurorit Ndoja

Shqipëria

SPAK çon në Gjykatë dy të akuzuar për atentatin ndaj prokurorit Ndoja

Më: 9 janar 2021 Në ora: 11:07
SPAK çon në Gjykatë dy të akuzuar për atentatin ndaj prokurorit Ndoja

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatë dosjen e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja.

Kujtojmë se ngjarja ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019, ndërsa personat e vënë nën akuzë për këtë ngjarje janë shtetasit Redjan Rraja dhe Arjol Halilaj. Dy të arrestuarve ditën e hënë pritet t’u komunikohet akuzat nga ana e organit të akuzës, SPAK.

Ndërkohë i pari që u arrestua si i dyshuar për atentatin ndaj prokurorit të Durrësit ishte Redjan Rraja.

Më pas u identifikua edhe shtetasi Arjol Halilaj. Të dy këta persona, gjatë deklarimeve që kanë dhënë përballë grupit hetimor, kanë pohuar që nuk kanë lidhje me atentatin që iu bë prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja.

Ndërkohë, burimet bënë të ditur se SPAK vijon hetimet për personin e tretë që u shfaq në video me Redjan Rrajën duke u larguar nga vendi ku braktisën makinën tip “BMW” në fshatin Shkafan të Ishmit.

SI NDODHI ATENTATI

Atentati ndodhi rreth orës 16:30 të pasdites më 1 nëntor 2019, ku makina me targa “AA 333 ZD” e drejtuar nga Andi Maloku dhe me pasagjerë prokurorin Arjan Ndoja dhe Pllumb Muharremaj, u qëllua me breshëri plumbash nga persona të panjohur dhe më pas doli nga rruga.

Në këtë atentat mbeti i vdekur shoferi 24-vjeçar Andi Maloku, ndërsa u plagosën prokurori Ndoja dhe “i forti i Sukthit”. Makina tip “Benz”, me targa “AA 333 ZD” (që rezulton në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga prokurori Ndoja, u qëllua me breshëri automatiku nga një tjetër makinë teksa ishte në lëvizje.

Pak ditë para atentatit, prokurori i Durrësit Arjan Ndoja u bë personazh i njohur pas denoncimit të Kryeministrit Edi Rama. Kreu i qeverisë e futi Ndojën në grupin e prokurorëve dhe gjyqtarëve që e shfrytëzojnë pushtetin me moton “të kapim çfarë të kapim” (KÇK).

AUTORI I DYSHUAR

Pak ditë pas ngjarjes, Policia njoftoi arrestimin e një prej të dyshuarve për atentatin ndaj prokurorit Ndoja. Redjan Rraja, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Nikël, Fushë-Krujë, është i dyshuar si një nga autorët e mundshëm të plagosjes me armë të prokurorit dhe dy shtetasve të tjerë, ku njëri prej tyre humbi jetën në spital.

Sipas deklaratës së Policisë atë kohë, Rraja është identifikuar për shkak të provave të gjetura në vendin e ngjarjes. Pas gjetjes së mjetit të braktisur që dyshohet se ishte përdorur nga autorët, në të janë gjetur edhe armët e përdorura në krim.

“Gjatë këqyrjes së këtij mjeti janë sekuestruar edhe prova të tjera materiale, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autorët, konkretisht: dy armë zjarri AK 47, dy maska, një sasi lënde djegëse dhe sende të tjera”, njoftoi Policia atë kohë.

Ndërkohë, prokuroria ngriti tri akuza për pjesëmarrësit në atentat: “Vrasja e funksionarëve publikë”, “Vrasja kundër dy ose më shumë personave”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Ndërkohë, kujtojmë që Rraja është i afërm i deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja dhe ka qenë edhe më herët i proceduar penalisht dhe është denoncuar në një rast publikisht nga ish-oficeri i policisë Emiljano Nuhu se e kishte kërcënuar për të mbyllur hetimet ndaj djalit të deputetit, i akuzuar për dhunimin e së dashurës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat