Mbi 1 mijë Ha tokë ende e përmbytur, tërheqja e ujit zbulon dëmet në bujqësi

Shqipëria

Mbi 1 mijë Ha tokë ende e përmbytur, tërheqja e ujit zbulon dëmet në bujqësi

Më: 17 janar 2021 Në ora: 16:00
Ilustrim

Sipërfaqja nën ujë ka nisur të tkurret në zonën e nënShkodrës.

Megjithatë të përmbytura janë ende mbi 1 mijë hektarë kryesisht në njësitë Dajç e Ana e Malit.

Tërheqja e ujit po nxjerr në pah edhe dëmet e shkaktuara në kulturat bujqësore.

“Të mbjellat e foragjeres, janë tërshëra, luljumi dhe lakrat që sot janë në funksion të blegtorisë vënë lym dhe nuk përdoren më. Unë kam 50 dynym tokë me qera. Llogarit shpenzimet e tokës me qera, llogarit dëmtimet, kur vjen puna ne jemi nën zero.”

Banorët e Dajçit shprehen të zhgënjyer që kjo situate për të cilën akuzojnë shkarkimet nga hidrocentralet nuk po merr zgjidhje vit pas viti.

“Çdolloj qeverie që vjen atje e kanë bërë biznes.”

Në Anë të Malit, Oboti mbetet ende zonë e pakalueshme për mjetet e ulëta dhe ushtria të paktën edhe për 48 orë do të jetë në ndihmë të tyre.

Administratori Arben Ceni shqetësimin më të madh e lidh me mungesën e bazës ushqimore për gjënë e gjallë.

“Vetëm një kontingjent kemi çuar në fshatin Obot, rreth 5 ton misër.”

Edhe pse janë cilësuar minimale, qeveria ka premtuar se do ti dëmshpërbleje demet e përmbytjes, ndërsa në krahun tjetër bashkia Shkodër ka kërkuar që ky proces të mos zvarritet dhe të ketë fatin e përmbytjeve të 2018-es që banorët nuk morën asnjë qindarkë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat