Shqipëri, bie numri i të vdekurve nga COVID 19 në javën e fundit

Shqipëria

Shqipëri, bie numri i të vdekurve nga COVID 19 në javën e fundit

Më: 18 janar 2021 Në ora: 21:56
Ilustrim

Në Shqipëri, java e fundit shënoi një rënie të vdekjeve nga COVID 19, ndërsa rastet e reja u ulën në raport të drejtë me reduktimin e numrit të testimeve, duke qenë në të njejtin nivel pozitiviteti me atë të javës pararendëse.

Sipas të dhënave zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës, në 7 ditët e fundit kanë humbur jetën 34 viktima. E diela ishte dita me numrin më të lartë me 7 vdekje, ndërsa në 24 orët e fundit u rregjistruan 4 humbje jete: 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetar nga Rrogozhina dhe 1 qytetar nga Mirdita, të moshave 39-66 vjeç. Që nga fillimi i pandemisë janë 1.281 persona të cilët kanë humbur jetën.

Sa i përket rasteve të reja, në total u konfirmuan 4.011 persona pozitivë, ose 7.8 përqind më pak se javën e mëparshme. Thuajse në të njejtin nivel, ranë dhe testimet, të cilat zbritën në kuotën e 22.152 tamponëve ose me një mesatare prej 3.164 tamponë në ditë. Për pasojë, krahasuar me javën pararendëse, pozitiviteti (raporti mes testimeve dhe rasteve të konfirmuara) mbeti po në kuotat e 18.1 përqind. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

Në 24 orët e fundit madje, ky tregues zbriti në 12.4 përqind, një nivel që nuk hasej prej shumë muajsh. Sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë, nga 2.343 tamponë u konfirmuan 292 raste të reja: 97 raste në Tiranë, 22 raste në Fier, 19 raste në Vlorë, 16 raste në Lushnje, 11 raste në Durrës dhe Lezhë, 10 raste në Kamëz, 9 raste në Elbasan, 8 raste në Berat, 7 raste në Kavajë, 6 raste në Shkodër, 5 raste në Tropojë, Sarandë, Delvinë, Prrenjas, 4 raste në Kurbin, Rrogozhinë, Mallakastër, Tepelenë, Divjakë, Gramsh, 3 raste në Krujë, Mirditë, Librazhd, Gjirokastër, Malësi e Madhe, Bulqizë, 2 raste në Mat, Përmet, Dibër, Kuçovë, 1 rast në Korçë, Has, Pukë, Skrapar, Poliçan, Këlcyrë.

Në total numri i personave të prekur ka arritur në afro 68 mijë raste, ndërkohë që 25.831 persona janë ende aktivë. Prej tyre afro 15 mijë ose gati 58 përqind, janë vetëm në Tiranë, e cila vijon të mbetet epiqendra e pandemisë në vend./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat