Ja mesazhi kërcënues për avokatin e Shullazit! “Këshilla” që dërguesi i përsërit dy herë

Shqipëria

Ja mesazhi kërcënues për avokatin e Shullazit! “Këshilla” që dërguesi i përsërit dy herë

Më: 19 janar 2021 Në ora: 09:11
Emiljano Shullazi

Prej vitesh, edhe pse kohët e fundit më shumë në burg se në liri, Emiljano Shullazi është etiketuar si “i fortë” jashtë, apo një nga të burgosurit “VIP”, gjatë qëndrimit në paraburgim. Megjithatë, duket se paska një apo disa të tjerë “më të fortë” se Shullazi.

Të paktën, dikush që nuk e ka problem aspak të kërcënojë hapur avokatin e tij, me numër lehtësisht të verifikueshëm, duke e “këshilluar” që të shohë familjen dhe jo kusuret e Shullazit, ia ka marrë tashmë “stafetën”. Se kush është, apo kush janë këta persona, konkretisht nuk dihet ende, pasi Policia është në fazën e kryerjes së hetimeve. Megjithatë, me shumë mundësi, vetë Emiljano Shullazi, i njeh armiqtë e tij, edhe pse nuk dihet nëse është marrë apo jo në pyetje. Burimet thonë se avokati Vladimir Meçe, i cili është mbrojtësi i ligjor i Shullazit që prej vitit 2016, është paraqitur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku ka bërë kallëzim për kanosje. Të njëjtat burime thonë se Meçe nuk ka denoncuar ndonjë person me emër konkret, por është i bindur se gjithçka ka ndodhur për shkak të detyrës.

KERCENIMI

Një mesazh paralajmërues me tone kërcënuese, ku i kërkohet të shikojë familjen e tij dhe të mos merret më me çështjet gjyqësore të klientit të tij, Emiljano Shullazi, ka bërë që avokati i njohur, Vladimir Meçe, t’i drejtohet Policisë së Tiranës me kallëzim penal. Mësohet se mesazhi kërcënues i është dërguar Meçes në aplikacionin “Whatsapp” dhe në të thuhet: “Avokat, është koha të shikosh familjen tënde. Mos u merr me hallet dhe kusuret e Emiljano Shullazit. Mbase do kesh marrë shumë mesazhe të tilla gjatë punës, por shiko familjen tënde”. Në mesazh bie në sy që dërguesi ia ka përmendur dy herë avokatit “këshillën” që të shohë familjen e tij. Ndërsa i kërkon të heqë dorë nga mbrojtja për Shullazin, person i cili për një kohë të gjatë ishte cilësuar si anëtari dhe si drejtuesi i një grupi kriminal që vepronte në Rrugën e Kavajës në Tiranë. Ndërkohë, vlen për t’u theksuar se mesazhdërguesi është kujdesur që avokati ta di mirë se nga kush e ka marrë këtë paralajmërim, pasi nuk është munduar të fshehë numrin e telefonit, me të cilin e ka nisur tekstin e as të dërgojë ndonjë letër, që nuk do tregonte asnjë të dhënë për autorin e kërcënimit.

SHULLAZI

Grupi i Emiljano Shullazit është duke u përballur me drejtësinë në Gjykatën e Apelit të Posaçëm kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pasi është i dënuar nga Shkalla e Parë për “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim, “Kanosje për shkak të detyrës” në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal”. Në nëntor të vitit 2018, Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtor Emiljano Shullazin për “Përvetësim pasurie”, “Kërcënim” dhe “Grup të strukturuar kriminal” dhe u dënua me 14 vjet burg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat